Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, pranon se ka pyetur presidentin e Barcelonës, Joan Laporta, për nënshkrimin e disa prej lojtarëve të tyre të rinj.
Barcelona është skuadra me më së shumti talentë aktualisht në futbollin botëror, ku emra si Pedri, Gavi, Lamine Yamal dhe Pau Cubarsi po befasojnë botën çdo ditë e më shumë.
Ofertat për këta lojtarë nuk kanë munguar dhe as nuk mungojnë, ndërsa interesimin për ta e ka konfirmuar edhe ish-trajneri i Barcelonës, tani i Cityt, Guardiola.
Megjithatë, Guardiola e ka pranuar se përkundër interesimit, presidenti Laporta ia ka mbyllur derën.
“Akademia nuk dështon kurrë. Këtij brezi nuk e di se çfarë i kanë dhënë prindërit, por shkojnë si aeroplanë. Cubarsi, Pedri, Balde, Lamine e shumë të tjerë. Baza ka qenë gjithmonë ata dhe nënshkrimi i lojtarëve të mëdhenj nga jashtë. Ata e dinë më mirë se kushdo veçoritë e klubit dhe presionin”, ka thënë fillimisht Guardiola.
“Ata janë shumë të mirë. Nuk janë në shitje – më tha presidenti. Dhe këtë nuk e them me ironi. Në fakt, Barcelona ka nënshkruar më shumë lojtarë nga Man City sesa anasjelltas”, përfundoi trajneri i Cityt. /Telegrafi/