Site icon Telegrafi

Grupi kriminal i Laert Haxhiut, SPAK zbardh krimet, nga vrasjet tek tritoli ndaj Noizy-t

Prokuroria e Posaçme SPAK mbylli hetimet ndaj anëtarëve të një grupi kriminal, që dyshohet se drejtohej nga Laert Haxhiu, i dënuari përjetë për “masakrën e Lushnjës”.

Për prokurorët e posaçëm, ky grup kriminal i përbërë nga Artan (Marjus) Tafani, Lulzim Spahija (Arapi), Ligor Romaçka, Bledar Berberi e Erisiano Abedini është përgjegjës për 13 ngjarje të rënda kriminale të ndodhura në qytete të ndryshme të vendit, nga muaji prill 2021 deri në maj 2023, kur Haxhiu u arrestua në Greqi.

Grupi u zbulua pas pendesës së Artan Tafanit, që pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë. Në dosjen e dërguar për gjykim, SPAK vë mbi shpatullat e të pandehurve akuzën për “vrasjen me paramendim” të Çajup Selimit, në qershor 2021 në Tepelenë, atë të Fridman Xhaferrajt, në të njëjtin muaj në Korçë, ku trupi i tij i pajetë u gjet në rezervuarin e Gjançit dhe të Alban Semakut, i njohur edhe si Elton Mermali në Peqin, në tetor të të njëjtit vit.

Ata akuzohen për “vrasje për gjakmarrje” të Albi (Dionis) Bashaliut në Gjoçaj Peqin, më dhjetor 2021, dhe tentativën e vrasjes së Kujtim Metës në prill 2022, në Lushnje.

Përveç këtyre krimeve, të pandehurit akuzohen për “shkatërrim prone me eksploziv” në 5 raste, një nga të cilat shpërthimi i ndodhur në qershor 2022 në lokalin në pronësi të rreperit Rigels Rajku në Durrës, i njohur si Noizy, dy vjedhje me armë dhe një rast i sigurimit të kushteve për të kryer vrasje.

Sipas SPAK, përveç vrasjes së Çajup Selimit dhe Albi Bashaliut, të gjitha krimet e tjera ishin të motivuara nga hakmarrja e Laert Haxhiut ndaj Aldo Bares, që e lidhte me vrasjen e djalit të xhaxhait të tij, Klodian Haxhiu. Referuar hetimit, pas arrestimit të dy miqve të tij të ngushtë, Orges Bilbili e Anterio Kaloshi, aktualisht të dënuar përjetë, përmes anëtarëve të grupit që drejtonte Haxhiu ka ndërmarrë akte konkrete për vrasjen e personave që i mendonte si pjesëtarë të grupimit kriminal të Aldo Bares, për të cilët besonte se kishin qenë të përfshirë në vrasjen e kushëririt të tij.

Në të njëjtën dosje, SPAK mbylli hetimin edhe për 4 persona të tjerë të akuzuar për “moskallëzim krimi” ose “përkrahje të autorit të krimit” në krimet e grupit. /Telegrafi/

Exit mobile version