Nike e ka pezulluar marrëdhënien me sulmuesin e Manchester Unitedit, Mason Greenwood, pas arrestimit të tij me dyshimin për përdhunim dhe sulm fizik.
20-vjeçari është arrestuar të dielën nga policia, pasi një 18-vjeçare publikoi disa imazhe dhe një audio në rrjetet sociale, ku pohonte se është sulmuar nga futbollisti.
Pas këtyre ngjarjeve, klubi e ka suspenduar lojtarin “deri në një njoftim të radhës”, ndërsa disa bashkëlojtarë nuk e ndjekin më në rrjetet sociale.
https://twitter.com/Adiedo_lentitus/status/1487731615220523010
Dhe gjërat vazhdojnë të përkeqësohen për Greenwood, duke qenë se edhe gjiganti i veshjeve sportive, Nike, ka bërë një deklaratë duke shprehur shqetësimin e tyre.
Ndërsa tani është bërë e ditur se bashkëpunimi i tyre me anglezin është pezulluar.
“E kemi pezulluar marrëdhënien tonë me Mason Greenwood. Jemi thellësisht të shqetësuar për akuzat shqetësuese dhe do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër situatën”, thuhet në komunikatën e Nike. /Telegrafi/