Gjyqtarët e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë kanë urdhëruar Izraelin të ndalojë sulmin e tij ushtarak në Rafah të Gazës.
Duke lexuar një vendim nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ), presidenti i trupit gjykues, Nawaf Salam, tha se masat e përkohshme të urdhëruara nga gjykata në mars nuk adresonin plotësisht situatën në enklavën e rrethuar palestineze tani dhe ishin plotësuar kushtet për një emergjencë të re.
“Izraeli duhet të ndalojë menjëherë ofensivën e tij ushtarake në Rafah”, tha ai.
Bëhet e ditur se gjykata ka mbështetur kërkesën e Afrikës së Jugut për të urdhëruar Izraelin të ndalojë ofensivën Rafah.
Ndërkohë, jashtë gjykatës, një grup i vogël protestuesish pro-palestinezë valëvitnin flamuj duke bërë thirrje për një Palestinë të lirë, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.
Izraeli i ka hedhur poshtë vazhdimisht akuzat e çështjes për gjenocid duke i cilësuar si të pabaza, dhe duke argumentuar se operacionet e tij në Gazë janë vetëmbrojtje dhe synojnë militantët e Hamasit që sulmuan Izraelin më 7 tetor.
Madje, një zëdhënës i qeverisë izraelite tha se “asnjë fuqi në Tokë nuk do ta ndalojë Izraelin të mbrojë qytetarët dhe të shkatërrojë Hamasin”.
Ndryshe, Izraeli nisi sulmin e tij në Rafah këtë muaj, duke detyruar qindra mijëra palestinezë të largoheshin nga një qytet që ishte bërë strehë për rreth gjysmën banorëve të Gazës.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është organi më i lartë i OKB-së për shqyrtimin e marrëveshjeve ndërmjet shteteve.
Vendimet e saj janë përfundimtare dhe detyruese.
Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, gjykatë kjo e veçantë me seli gjithashtu në Hagë, ka njoftuar së fundmi se kishte paraqitur një kërkesë për urdhërarrest kundër Netanyahut dhe ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant, si dhe liderëve të Hamasit.
Prokurori Karim Khan akuzoi Netanyahun dhe Gallant për krime, duke përfshirë shfarosjen, përdorimin e urisë si armë dhe sulmin e qëllimshëm ndaj civilëve. /Telegrafi/