Gjermania ka njoftuar se tani Ukraina mund të përdorë armët gjermane për të goditur brenda territorit rus.
Në përputhje me SHBA-në, një zëdhënës i qeverisë gjermane thotë se “Ukraina mund të përdorë furnizime ushtarake për të goditur objektivat prapa kufirit, por vetëm për të mbrojtur Kharkivin nga sulmet nga veriu”, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
“Ne jemi të bindur se Ukraina ka të drejtën, të garantuar nga ligji ndërkombëtar, për të mbrojtur veten kundër këtyre sulmeve”, tha zëdhënësi Steffen Hebestreit.
Ndërkohë, Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka njoftuar edhe një paketë mbështetje ushtarake prej 500 milionë eurove për Ukrainën.
Bëhet e ditur se ai e bëri njoftimin gjatë një udhëtimi në qytetin port të Odesa-s, i cili ishte mbajtur sekret për arsye sigurie.
“Ukraina është nën presion sepse forcat ruse po bëjnë gjithçka që munden për t’i lidhur forcat ukrainase. Por ajo po ia del”, tha Pistorius.
“Në të njëjtën kohë, nuk po bëhen përparime vërtet domethënëse dhe të qëndrueshme”, shtoi ai.
Siç raportohet, kjo ishte vizita e tretë e ministrit gjerman në Ukrainë që nga pushtimi rus në vitin 2022, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
Paketa me ndihma ushtarake thuhet të përfshijë municione për sistemin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës me rreze të mesme dhe raketa SLS me rreze të shkurtër veprimi.
Gjithashtu përfshin edhe pjesë rezervë dhe tyta për sistemet e artilerisë dhe rreth një milion fishekë.
New security agreements for Ukraine provide more strength and opportunities for protecting our people. Three more robust documents enshrining long-term support for our people were signed with Spain, Belgium, and Portugal.
Cooperation in defense, clear support for Ukraine’s EU… pic.twitter.com/HJN0GFndfN
— Volodymyr Zelenskyy / Володимир Зеленський (@ZelenskyyUa) May 30, 2024
Ndryshe, Gjermania është ofruesi i dytë më i madh i armëve për Ukrainën.
Për shkak të ofensivave ruse, trupat ukrainase vazhdojnë të përballen me mungesë municioni.
Shefi i ushtrisë së Ukrainës, Oleksandr Syrskyi, ka paralajmëruar se Rusia po e rrit përqendrimin e trupave në rajonin e Kharkivit.
Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se marrëveshjet e reja me partnerët për mbrojtje ajrore dhe prodhimin e dronëve janë në horizont.
“Ne tashmë kemi disa konfirmime nga liderët për rritjen e aftësive tona të mbrojtjes ajrore dhe çelësi është që t’i zbatojmë ato plotësisht”, tha Zelensky. /Telegrafi/