Site icon Telegrafi

Gjeorgjia nënshkruan “ligjin rus për agjentët e huaj”

Kryetari i parlamentit të Gjeorgjisë ka nënshkruar ligjin për “agjentët e huaj” që ka shkaktuar një krizë politike në vend dhe ka shkaktuar kritika të ashpra nga aleatët e saj perëndimorë.

Mosmarrëveshja rreth ligjit është një provë nëse Gjeorgjia, për tre dekada një prej shteteve më properëndimore të pasardhësve të Bashkimit Sovjetik, do të ruajë orientimin e saj perëndimor apo do të afrohet me Rusinë.

Bëhet e ditur se kryetari i parlamentit Shalva Papuashvili ka nënshkruar ligjin pasi ligjvënësit e qeverisë votuan javën e kaluar për të kapërcyer veton nga presidentja Salome Zourabichvili, e cila e kishte kritikuar atë.

Legjislacioni kërkon që organizatat që marrin më shumë se 20% të financimit të tyre nga jashtë të regjistrohen si “agjentë të ndikimit të huaj”, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Parlamenti i Gjeorgjisë rrëzon veton ndaj ligjit për “agjentët e huaj”

Siç raportohet, kundërshtarët e legjislacionit, për më shumë se një muaj kanë zhvilluar disa nga protestat më të mëdha në Gjeorgji që nga pavarësia nga Moska në vitin 1991.

Një grup i organizatave joqeveritare gjeorgjiane kanë njoftuar se përsëri do ta kundërshtojnë ligjin në gjykatën kushtetuese, dhe se po përgatisin një paraqitje në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Ligjin e kanë kritikuar edhe SHBA-ja, BE-ja dhe Britania e Madhe.

Gjithashtu, grupet opozitare gjeorgjiane e quajnë atë “ligj rus”, dhe i referohen si ligj i modeluar nga rusët për të synuar kundërshtarët e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Ndryshe, Uashingtoni ka kërcënuar se do të sanksionojë zyrtarët gjeorgjianë që votuan pro miratimit të ligjit. /Telegrafi/

Exit mobile version