Site icon Telegrafi

Gazetari zbardh prapaskenat e takimit informal Rama-Dumani

Gazetari Lavdrim Lita është shprehur se ka pasur një takim informal mes kryeministrit të Shqipërisë,Edi Rama dhe kreut të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, në prani edhe të përfaqësuesve ndërkombëtarë.

Gjatë fjalës së tij në Euronews Albania, Lita tha se në takim gjatë bisedës, Dumani i është drejtuar kryeministrit Rama duke i thënë se do të raportonte në Prokurori të gjitha bisedat që po diskutoheshin aty, raporton Euronews Albania.

Sipas Litës, kjo ishte një vendosje e kufijve mes Drejtësisë dhe Politikës dhe shtoi se që në atë moment takimi u prish, sepse të pranishmit nisën të rrinin serioz.

“Para disa muajsh ka pasur një takim informal Rama-Altin Dumani. Gjatë bisedës që ka qenë me shaka, Dumani është përgjigjur duke thënë se ju duhet të dini që unë do i raportoj këto që po thuhen këtu. Në njëfarë mënyre Dumani i ka vendosur një kufij Ramës, pra që do të arkivohej biseda që po bëhej me kryeministrin, në prani të ndërkombëtarëve.

Dhe takimi u prish shumë shpejt, për shkak se të pranishmit nisën të mbanin qëndrim serioz pas deklaratës së Dumanit. Kjo ishte vendosja e kufijve mes Drejtësisë dhe Politikës. Nëse më parë ishte ndryshe, në këtë moment janë vënë kufijtë. Kujtojmë se maxhoranca këmbëngulte për dikë tjetër në krye të SPAK, ndërsa Yuri Kim për Dumanin. Ajo zonja që do votonte jo për Dumanin e ktheu në minutën e fundit, në po”, tha Lita. /Telegrafi/

Exit mobile version