Site icon Telegrafi

Gara për Avokatin e Popullit, PD propozon ish të përndjekurin politik

Dakordësia e arritur mes PS dhe PD brenda pak javësh pritet të finalizohet edhe me emrin e kandidatit për Avokatin e ri të Popullit. Në garë janë 7 juristët e avokatë. Emri i propozuar nga Partia Demokratike është Besim Ndregjoni ndërsa Partia Socialiste ende nuk është shprehur.

Si shpërblim për votat që mundësuan ndryshimet e pjesshme në kodin zgjedhor, Partia Demokratike kërkon Avokatin e Popullit.

Pas ujdisë në kuvend, Partia Socialiste dhe Demokratike do të ulen për të vendosur një emër për Avokatin e ri të Popullit.

Mes shtatë kandidatëve emri që u dëgjua në sallë të kuvendit dhe për të cilin PD kërkoi votat e PS është Besim Ndregjoni, i përndjekur politik.

Socialistët nuk e kanë një emër por para se të japin votat do që të shtatë kandidatët për Avokatin e Popullit të kalojnë edhe në sitën e kritereve të tyre.

Duket se përzgjedhja e emrit të pasuesit të Erinda Ballancës, kryetares në detyrë do të jetë i shpejtë.

Pikëpyetje mbetet nëse Besim Ndregjoni do të jetë emri i pranuar edhe nga socialistët apo diskutimet mes dy forcave të mëdha do të prodhojnë një tjetër.

Në garë janë shtatë kandidatë dhe që prej dy vitesh presin të votohen në kuvend.

Ata janë Vitore Tusha, ish kryetare e Gjykatës Kushtetuese, Bledar Dervishaj ish këshilltar ligjor i Ilir Metës president, Tartar Bazaj, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Dardan Mustafaj ish këshilltar në Gjykatën Kushtetuese, Edison Frangu e Eragd Aga avokatë dhe Besim Ndregjoni si përfaqësues i të përndjekurve politik.

Me dakordësinë e të dyja palëve në proces, duket se do të marrë fund edhe kalvari i zgjedhjes së avokatit të ri të popullit. Prej tre vitesh Erinda Ballanca qëndron në detyrë përtej afateve kushtetuese. Kjo sepse PS dhe PD nuk e gjetën asnjëherë marrëveshjen deri në mbrëmjen e 17 shkurtit pasi votat e demokratëve mundësuan miratimin e ndryshimeve në ligjin elektoral.

Exit mobile version