Site icon Telegrafi

“Gajlet” bëjnë bashkë Genën dhe Bigem (Foto)

Milot Hasangjekaj, tashmë i njohur si Bigem do të sjellë së shpejti një projekt të ri, në bashkëpunim me këngëtarin e shumë-pëlqyer nga publiku, Genën.

“Gajle” titullohet kënga e tyre më e re, ndërsa në një prononcim për Telegrafin, Miloti ka shpalosur ekskluzivisht detajet e këtij bashkëpunimi, i cili vjen për publikun brenda pak ditësh.

“Ideja ka filluar nga kënga, instrumentali i punuar si demo fillimisht, pastaj kemi kontaktuar me Genën. Pasi që menduam që ai do ishte i përshtatshëm në këtë projekt. Falënderoj Genën dhe Enisin që e kanë mirëpritë projektin dhe pastaj kemi marrë masat e duhura për ta realizuar këngën, tekstin, incizimet, dhe xhirimet e klipit”, tha Bigem për Telegrafin.

Njëjtë sikur çdo projekt tjetër i tij, edhe kjo këngë është punuar nën ombrellën e Black Fish Entertainment.

“Kënga është punuar nga Black Fish Entertainment, konkretisht DorantBeats, pjesë e së cilës është edhe Doranti, është incizuar po ashtu në studion e Black Fish. Tema trajton “gajlen” më të madhe: “Se si me mbajt gjalle dashurinë” në mes të çifteve”, tregoi më tej rap-artisti.

Javë më parë, Hasangjekaj bëri të ditur se ka ndryshuar emrin e tij artistik në Bigem, ndërsa bashkëpunimi me Genën, është i pari që e sjell atë me pseudonimin e ri. Për Telegrafin, Miloti tregoi shkurt rreth pritshmërive të publikut lidhur me emrin e ri artistik.

“Fillimisht kanë mirëpritur dhe uruar shumë miqtë dhe të tjerët për ndërrimin e emrit, e besoj që këtij projekti do t’i paraprijë për të mbarë edhe ky ndërrim. Tani e tutje me këtë emër do vazhdoj edhe në projektet e radhës dhe besoj që do të mësohen”, përfundoi Bigem për Telegrafin.

Ndryshe, kënga dhe klipi “Gajle” do të publikohen brenda kësaj jave. /Telegrafi/

Exit mobile version