Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka zbuluar një fushatë të madhe disinformuese ruse në internet, në platformën X, ish-Twitter.
Me porosi të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë ekspertët kanë analizuar përmes një softueri të posaçëm shërbimin e mesazheve të shkurtra, X dhe kanë gjetur një rrjet të madh profilesh të rreme përdoruesish që shpërndanin përmbajtje në gjuhën gjermane.
Në hapësirën kohore nga 20 dhjetor deri në 20 janar ekspertët kanë identifikuar më shumë se 50 mijë llogari të rreme në platformën X, të cilat kanë publikuar më shumë se 1 milion ‘tweets’ në gjuhën gjermane.
Në mesazhet ngrihet shpesh akuza se qeveria gjermane injoron popullin për të mbështetur Ukrainën, ka raportuar “Spiegel”, duke iu referuar burimeve të besueshme nga analiza, raporton dw.
Ministria e Jashtme po ndjek prej kohësh përmes analistëve të informatikës debatet në mediat sociale mbi temat e politikës së jashtme. Qëllimi është të zbulohet influenca nga jashtë.
“Disinformimi është kthyer në një faktor global kërcënues”, ka thënë një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme për “Spiegel”.
“Ai përdoret me qëllim nga ata që nuk ndajnë vlerat tonë për të destabilizuar shoqëritë në tërësi, jo vetëm demokracitë perëndimore, por në tërësi”, shkruan ajo.
Ndryshe, Rusia ka nisur një fushatë dezinformuese në lidhje me luftën në Ukrainë në shumë vende perëndimore duke shpërndarë lajme të rreme.