Site icon Telegrafi

Fuqizimi i subjektivitetit ndërkombëtar, vizita e Kurtit në SHBA dhe kabineti i qeverisjes së mirë – gjithçka nga intervista me Vlora Çitakun

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku në një intervistë për Telegrafin ka folur për rëndësinë e fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, vizitën e kryeministrit Albin Kurti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kabinetin e qeverisjes së mirë të PDK, e çështje tjera.

Çitaku në emisionin “Përballje” në Telegrafi, me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu ka thënë se Kosova duhet të shfrytëzojë dobësimin e Rusisë për të fuqizuar subjektivitetin ndërkombëtar.

Ajo e ka quajtur të rëndësishëm aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ndërsa ka thënë se do ta mbështesin këtë iniciativë.

“Është me rëndësi që Kosova ka aplikuar dhe ne e mbështesim këtë iniciativë dhe do t’i përborim të gjitha kontaktet që kemi në funksion të kësaj iniciative. Tani është mundësia e artë dhe ne do t’ia japim mbështetjen e plotë këtij procesi”, u shpreh Çitaku.

Duke folur  për situatën në Ukrainë, ajo ka shtuar se kjo i ka krijuar Kosovës mundësi për të fuqizuar subjektivitetin ndërkombëtar.

“Në këtë kontekst të ri gjeopolitik ku Rusia është me e izoluar se kurrë më parë, ku është përjashtuar nga shumë nisma e organizata ndërkombëtare, për ne në Kosovë ka krijuar mundësi të artë për të fuqizuar subjektivitetin tonë ndërkombëtarë”, u shpreh Çitaku.

Çitaku theksoi se ne nuk e dimë se për sa kohë do të zgjasë kjo situatë, dhe se sanksionet ruse përveç që e godasin Rusinë kanë edhe një kosto financiare për shumë shtete evropiane, dhe mund të kemi një situatë tjetër.

Lexo po ashtu Çitaku: Kosova të shfrytëzojë dobësimin e Rusisë për të fuqizuar subjektivitetin ndërkombëtar

Nënkryetarja e PDK-së, komentoi edhe vizitën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës tash e 13 ditë, që sipas këndvështrimit të saj nuk mund të quhet vizitë zyrtare.

Ajo ka thënë se nuk ka ndodhur asnjëherë jo një kryeministër i Kosovës, por as edhe një kryeministër i një vendi tjetër të qëndrojë kaq gjatë në SHBA.

“Në Amerikë mund të shkosh edhe në pushim nuk është e ndaluar me ligj, por kjo vizitë deri më tani nuk mund të quhet vizitë zyrtare, është dashur të planifikohet më mirë nga fillimi”, ka thënë Çitaku.

Ajo ka treguar sesi bëhen zakonisht vizitat zyrtare në SHBA.

“Fillimisht bëhet takimi zyrtar me nikoqirin në këtë rast me Departamentin e Shtetit, me Shtëpinë e Bardhë, e pastaj bëhen vizitat tjera dhe ato për pak ditë. Unë po e kuptoj pasionin dhe po më vjen mirë që kryeministrit po i pëlqen Amerika, nuk mund një kryeministër të rri kaq gjatë larg kryeqytetit”, u shpreh Çitaku.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com

Çitaku ka thënë se Kuri sa herë del jashtë Kosovës ai e përfaqëson krejt Kosovën, dhe nuk është kryetar i LVV por kryeministër.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka folur për formimin e Kabinetit të Qeverisjes së Mirë nga PDK duke dhënë detaje se cili do të jetë roli dhe funksionin i këtij kabineti.

Çitaku e cila njëherit do të jetë udhëheqëse e departamentit për Politikë të Jashtme dhe Agjendë Evropiane në këtë kabinet, ka thënë se PDK do të jetë opozitë reale e Lëvizjes Vetëvendosje dhe  kryeministrit Albin Kurti.

Ajo u shpreh se për një kohë në Kosovë ka pasur opozitë nihiliste e cila shpeshherë ka përdorur metoda jopolitike për të kundërshtuar çështje të rëndësishme në vend.

“Për një kohë të gjatë Kosovës i është imponuar një formë atipike e opozitë-bërjes, me vite të tëra kemi pasur një opozitë nihiliste që vetëm ka kritikuar dhe ka përdorur metoda jopolitike për të ngritur zërin e saj. Ne duam ta ndryshojmë këtë praktikë, dhe të dëshmojmë që roli i opozitës nuk është rrënues, mohues, por rol kritikues dhe të ofrojë alternativë”, u shpreh Çitaku.

Nënkryetarja e PDK-së, theksoi se roli kryesor i Kabinetit për Qeverisje të Mirë do të jetë që të jap alternativën qeverisëse sa herë që të jetë nevoja, por nëse ka vullnet dhe gatishmëri nga Qeveria edhe të ndihmojmë në procese të rëndësishme.

Çitaku theksoi se brenda 15 departamenteve që janë pjesë përbërëse e kabinetit për qeverisje të mirë, do të ketë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version