Telegrafi

Ftesa e Kurtit për takim, PDK-ja ende pa përgjigje

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryeministër, Albin Kurti si dhe kandidatja për presidente, Vjosa Osmani të enjten mbrëma u kanë dërguar letër partive politike për t’u takuar të hënën, më 15 mars për të diskutuar rreth konstituimit të institucioneve të vendit, ndërsa, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i thanë Telegrafit se ende nuk kanë vendosur nëse do të marrin pjesë ose jo në këtë takim.

Nga Partia Demokratike e Kosovës thanë se letra u ka shkuar mbrëmë vonë dhe ende nuk kanë përgjigje.

“Ftesa ka ardhur shumë vonë, është ende herët që të kemi një përgjigje”, thonë burimet e Telegrafit brenda PDK-së.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) më 4 mars ka shpallur rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Sipas rezultatit përfundimtar, Partia Demokratike e Kosovës do të ketë 19 ulëse në kuvend, Lidhja Demokratike e Kosovës, 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të ketë tetë deputetë.

Për formim të Qeverisë në Kosovë duhen të sigurohen 61 vota në Kuvendin e Kosovës.

Kurti ka thënë se qeverinë synon ta formojë me disa parti të komuniteteve jo-serbe.

Sa i përket pozitës së presidentit, kandidatët për këtë pozitë duhet të kenë 80 vota për të fituar ulësen në presidencë. /Telegrafi/