Site icon Telegrafi

Franca, Turqia dhe Greqia do të evakuojnë civilët e mbetur në Mariupol

Zyrtarë nga Turqia, Franca dhe Greqia kanë njoftuar se do të organizojnë një aksion të përbashkët humanitar që synon evakuimin e banorëve të Mariupolit.

Sipas presidentit të Francës, Emmanuel Macron, situata humanitare në qytetin port të Mariupolit është në prag të katastrofës dhe për këtë arsye nevojitet një reagim urgjent i vendeve.

“Së bashku me Turqinë dhe Greqinë do të fillojmë një operacion humanitar për të evakuuar të gjithë ata që duan të largohen nga Mariupol. Po komunikojmë me kryetarin e bashkisë së Mariupolit. Qyteti kishte më shumë se 400 mijë banorë ndërsa sot ka vetëm 150 mijë dhe ata jetojnë në një gjendje të tmerrshme”, tha Macron, raporton cnn.

Ai gjithashtu theksoi se në ditët në vijim do të bisedojë sërish me presidentin rus, Vladimir Putin dhe se temë e takimit duhet të jetë situata humanitare në Mariupol.

Për situatën në këtë qytet ukrainas foli edhe kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, i cili tha se në qytet jeton edhe një komunitet i madh grek që ka nevojë për ndihmë.

“Qyteti ukrainas, shtëpia e një komuniteti të madh grek, është tunduar nga sulmet e paprecedentë ruse. Fatkeqësisht, ato nuk bëjnë dallime midis trupave ukrainase dhe civilëve”, tha Mitsotakis.

Përveç koordinimit të aktiviteteve me presidentin rus, Vladimir Putin, në prag të fillimit të aksionit humanitar, zyrtarë nga Franca, Turqia dhe Greqia do të koordinojnë veprimet me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky. /Telegrafi/

Exit mobile version