Site icon Telegrafi

Franca “do të përfshihet direkt” në trajnimin e personelit ushtarak në Ukrainë

Komandanti i lartë i Ukrainës tha të hënën se kishte nënshkruar dokumentet që lejonin instruktorët ushtarakë francezë të vizitojnë qendrat e trajnimit ukrainas së shpejti.

“Kam kënaqësinë të mirëpres iniciativën e Francës për të dërguar instruktorë në Ukrainë për të trajnuar ushtarakët ukrainas”, ka thënë Oleksandr Syrskyi në aplikacionin e mesazheve Telegram, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Një gjë të tillë ai e ka bërë të ditur pas bisedimeve përmes lidhjes video me ministrin francez të mbrojtjes Sebastien Lecornu.

Lexo po ashtu Lista e armëve që Spanja do të dërgojë në Ukrainë

“Unë kam nënshkruar tashmë dokumentet që do t’u mundësojnë instruktorëve të parë francezë të vizitojnë së shpejti qendrat tona të trajnimit dhe të njihen me infrastrukturën dhe personelin e tyre”.

Syrskyi nuk dha detaje të tjera, por tha se besonte se vendosmëria e Francës do të inkurajonte partnerët e tjerë që t’i bashkohen këtij “projekti ambicioz”.

Ndryshe, presidenti francez Emmanuel Macron “ka hapur derën” për dërgimin e trupave në Ukrainë dhe në një konferencë në Paris më 26 shkurt theksoi se një fushë ku trupat perëndimore mund të ndihmojnë do të ishte trajnimi i ukrainasve në Ukrainë.

Lexo po ashtu Shtetet baltike bashkohen me Norvegjinë, Finlandën dhe Poloninë për të ndërtuar "murin kundër dronëve të Rusisë"

Në një deklaratë për Reuters, Ministria e Mbrojtjes e Francës tha: “Siç është përmendur disa herë, trajnimi në tokën ukrainase është një nga projektet e diskutuara që nga konferenca për mbështetjen për Ukrainën e thirrur nga Presidenti i Republikës më 26 shkurt”.

“Ashtu si të gjitha projektet e diskutuara në atë kohë, kjo pistë vazhdon të jetë objekt i punës me ukrainasit, veçanërisht për të kuptuar nevojat e tyre të sakta”. /Telegrafi/

Exit mobile version