Telegrafi

Franca nuk përjashton mundësinë e dërgimit të tankeve në Ukrainë, ndërsa Gjermania do të koordinohet me aleatët

Franca dhe Gjermania u përpoqën të kapërcenin “mosmarrëveshjet e zbuluara” nga lufta e Rusisë në Ukrainë, ndërkohë që shënuan 60 vjet të një traktati historik midis dy vendeve.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, të dielën, rreth 300 politikanë nga të dy vendet u mblodhën në Universitetin e Sorbonës në Paris për një ditë ceremonish dhe takimesh.

Të dy vendet kanë ndihmuar me armë të konsiderueshme në Ukrainë, por lufta ka ekspozuar dallimet në strategjinë midis të dyve.

Më së shumti bisedimet evropiane janë fokusuar në mënyrën se si të trajtohet kriza energjetike që rezulton dhe ndëshkimi i inflacionit, si dhe mbi investimet e ardhshme ushtarake.

“Imperializmi i Putinit nuk do të fitojë”, ka thënë kancelari gjerman Olaf Scholz për luftën në Ukrainë gjatë ceremonisë.

“Ne nuk do të lejojmë që Evropa të kthehet në një kohë kur dhuna zëvendësoi politikën dhe kontinenti ynë u copëtua nga urrejtja dhe rivalitetet kombëtare”.

Ndërsa duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi, Emmanuel Macron tha se ai nuk përjashton mundësinë e dërgimit të tankeve Leclerc në Ukrainë.

Ai tha se dërgimi i tankeve nuk duhet të përshkallëzojë situatën dhe duhet të marrë parasysh kohën për të trajnuar efektivisht ukrainasit, duke mos rrezikuar sigurinë e vetë Francës.

Ndërkohë, Scholz i Gjermanisë tha se të gjitha vendimet e ardhshme për dërgesat e armëve do të merren në koordinim me aleatët, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Ndryshe, kur u përball me presionin në rritje ndaj vendit për të ofruar tanke për Ukrainën, Scholz tha se të gjitha dërgesat e armëve në Ukrainë deri më tani janë bërë në koordinim të ngushtë me partnerët perëndimorë. /Telegrafi/