Telegrafi

Foshnja e vdekur dyshohet se u fut në rrobalarëse në Spitalin e Pejës – Prokuroria jep detaje

Një rast i rëndë ka ndodhur gjatë javës së kaluar në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, kur një foshnje e lindur pa shenja jete dyshohet se është futur në rrobalarëse e mbështjellë me çarçafë nga personeli mjekësor.

Rastin për Telegrafin e kanë konfirmuar nga Prokuroria Themelore e Pejës dhe Policia e Kosovës.

Kryeprokurori i kësaj Prokurorie, Agim Kurmehaj ka thënë se kanë nisur hetimet lidhur me këtë rast.

“Po ju konfirmoj se rasti ka ndodhur dhe ne si Prokurori kemi ndërmarrë veprimet e duhura për zbardhjen e rrethanave”, ka thënë Kurmehaj.

Në anën tjetër zëdhënësi i kësaj Prokurorie, Shkodran Nikçi i ka thënë Telegrafit, se sot Prokurorja e rastit ka pasur një takim konsultativ me prindin e foshnjës.

“Rasti ka ndodhur javën e kaluar. Menjëherë pas informatave në vendin e ngjarjes ka shkuar Prokurori i nga Departamenti i Krimeve të Rënda së bashku me Inspektoratin Shëndetësorë dhe policinë. Rasti është duke u hetuar dhe jemi në pritje të raportit nga Inspektorati Shëndetësorë lidhur me këtë ngjarje. Prokurorja e rastit sot ka pasur një takim konsultativ me prindin e foshnjës për të kuptuar më shumë rreth rastit”, ka thënë Nikçi.

Ndërkaq nga Policia e Kosovës për rajonin e Pejës kanë thënë se rasti është duke u hetuar.

“Nga ankuesi, Policia ёshtё informuar pёr njё rast i cili ka ndodhur nё Spitalin Rajonal nё Pejё. Policia menjёherё ka dalё nё vendngjarje, Prokurori i Shtetit, gjithashtu. Nё vendngjarje kanё dalё edhe inspektorët e shendetёsisё. Rasti, me urdhёr tё Prokurorit tё Shtetit, ёshtё duke u hetuar” , ka thënë zëdhënësi i policisë, Driton Rugova.

Ndryshe, “Indeksonline” raportoi sonte se pakujdesia e madhe e stafit të Repartit të Gjinekologjisë, ka bërë që në lavatriçën e çarçafëve të futet një foshnje e vdekur. E njëjta u nxor copa-copa nga lavatriçja.

Babai i foshnjës mes lotësh tregoi se si neglizhenca e madhe e spitalit ka tronditur familjen e tij.

Babai i foshnjës thotë se dyshimet nga ana e tij lindën sapo pa që Spitali refuzoi ta lirojë trupin e pajetë të foshnjës. Çdo gjë pas këtij momenti, ka thelluar tragjedinë. /Telegrafi/