Telegrafi

Formacioni i javës i futbollistëve shqiptarë nëpër botë (Foto)

Portali Telegrafi vazhdon edhe këtë javë me formacionin më të mirë të futbollistëve shqiptarë nëpër botë.

Edhe kjo javë ishte e pasur me paraqitje të mira të shqiptarëve nëpër botë, por fatkeqësisht vetëm 11 prej tyre do të jenë pjesë e formacionit më të mirë.

Në portë është portieri i Partizanit të Tiranës dhe Kombëtares shqiptare, Alban Hoxha që e ruajti të pa prekur portën në udhëtim te Teuta.

Në këtë formacion Telegrafi ka vendosur t’i përfshijë Alban Hoxhën dhe Orges Shehin nga kampionati shqiptar pasi janë pjesë e Kombëtares, dhe varësisht prej paraqitjeve të tyre do të zënë vend në formacionin më të mirë.

Mbrojtja edhe kësaj radhe është me katër futbollist, ku në pozitën e djathtë është i padiskutueshmi Elseid Hysaj, që asistoi tek goli i parë i Napolit në fitoren 2-1 ndaj Genoas.

Qendra e mbrojtjes është e përbërë nga dy talent shqiptar. Arlind Ajeti ishte i pakalueshëm në barazimin e Frozinones 0-0 ndaj Fiorentinës, ndërsa Herdi Prenga shënoi gol për Lokomotivën e Zagrebit në barazim 1-1 ndaj RNK Splitit.

Pozita e mbrojtësit të majtë është për Federik Veselin, i cili me Luganon e tij befasoi Grasshopperin duke triumfuar 0-1, ndërsa anëtari i Shqipërisë pati një paraqitje të mrekullueshme.

Mesfusha këtë javë përbëhet me tre futbollistë, ku dy prej tyre ishin golashënues. Fanol Perdedaj shënoi gol për FSV Frankfurtin për t’i siguruar një pikë në barazimin 2-2 në udhëtim tek Heidenheim, ndërsa futbollisti më i mirë në Kosovë për vitin 2015, Enis Alushi bëri dy asistime për St Paulin në fitoren 0-2 në udhëtim tek Sandhausen.

Valon Berisha është rikthyer në formën e tij më të mirë në kampionatin austriak tek RB Salzburg. Kosovari i Përfaqësueses së Norvegjisë ka shënuar golin e parë në fitoren 2-1 të Salzburgut ndaj Mattersburg.

Sokol Cikalleshi ka qenë hero për skuadrën e tij Basaksehir duke shënuar golin e barazimit 1-1 në udhëtim tek Konyaspor. Cikalleshi shënoi një gol të mrekullueshëm në fund të takimit, gol i cili do të futet në listë për më të mirin e vitit në Turqi.

Në pozitën e sulmuesit qendror përsëri është Vedat Muriqi, i cili këtë javë realizoi dy gola në barazimin 3-3 të ekipit të tij Giresunspor përballë Erciyesspor. Këto dy gola të shënuar Muriqin e ngritën në vendin e dytë të realizatorëve me 16 sosh.

Një ‘bombardues’ tjetër në formacion ka bërë vend dhe ai është Besart Berisha. Edhe pse skuadra e tij Melbourne Victory nuk po kalon formë të mirë, Berisha përsëri ishte shpëtimtar duke shënuar golin e barazimit 1-1 ndaj Newcastle Jets. Goli ndaj Newcastle Jets ishte i 16-ti në kampionat për prishtinasin.

Duhet theksuar se formë të mirë këtë javë treguan edhe Bekim Balaj që shënoi gol në fitoren 4-0 të Rijekës, Milot Rashica që asistoi në fitoren e Vitteses 0-3, Veton Berisha që shënoi në barazimin e Greuther Furthit, por edhe mbrojtësit Lorik Cana dhe Mërgim Mavraj që shkëlqyen në humbjen minimale 1-0 nga Bayerni respektivisht Lyoni. /Telegrafi/

Formacioni më i mirë i javës:

3-4-3: Alban Hoxha, Elseid Hysaj, Arlind Ajeti, Herdi Prenga, Federik Veseli, Fanol Perdedaj, Enis Alushi, Valon Berisha, Sokol Cikalleshi , Vedat Muriqi, Besart Berisha.