Trajneri i Milanit, Paulo Fonseca, ka thënë se Juventusi është një skuadër më e mirë se Real Madridi në aspektin defanziv.
Tekniku i ‘Rossonerëve’ ripërsëriti gjithashtu mendimin e tij se është më e vështirë t’i motivojë lojtarët e tij për ndeshje ndaj ekipeve si Cagliari se sa për ato ndaj ekipeve të mëdha.
Milani do të jetë nikoqir i Juventusit mbrëmjen e së dielës në ‘San Siro’, teksa futbolli në nivel klubesh rikthehet këtë vikend pas pauzës së kombëtareve.
Disa nga paraqitjet më të mira të Milanit nën urdhrat e Fonsecas kanë ardhur ndaj ekipeve të mëdha, duke përfshirë fitoren 2-1 ndaj Interit si dhe atë 3-1 ndaj Real Madridit në Ligën e Kampionëve.
“Nuk ndjejë presion për këtë lloj ndeshje (ndaj Juventus), është një motivim. Është e lehtë të kuptosh se lojtarët janë më të motivuar ndaj Interit, Juventusit, Real Madridit”.
“Është më e vështirë që të shkojmë të luajmë ndaj Cagliarit dhe të kemi të njëjtën dëshirë”, ka thënë fillimisht Fonseca.
Tutje ai u pyet nëse do të përdorë të njëjtat taktika si në ndeshjen ndaj Real Madridit në Ligën e Kampionëve.
“Mendoj se do të jetë një ndeshje më ndryshe. Mendoj se Juventusi është më i mirë se Real Madridi në aspektin defanziv. Ata mbrohen më mirë si një skuadër”, përfundoi ai./Telegrafi/