Anëtarët e bordit të ‘Fondacionit UEFA për Fëmijët’ dhe kryetari Aleksander Ceferin, kanë ndarë sot (E martë) Çmimin e Fondacionit UEFA 2022 prej një milion eurosh për të ndihmuar fëmijët në Ukrainë, si dhe fëmijët refugjatë në vendet fqinje.
Këto fonde do të financojnë iniciativa nga shoqatat anëtare të UEFA-s dhe organizatat bamirëse që fokusohen në të drejtat e fëmijëve dhe mirëqenien e tyre, me nevojat e sakta që po vlerësohen aktualisht në bashkëpunim të ngushtë me shoqatat anëtare dhe partnerët lokalë.
Për më tepër, ‘Fondacioni UEFA për Fëmijët’ vendosi të ndajë një fond të menjëhershëm ndihme urgjente prej 100.000 eurosh për të ndihmuar fëmijët dhe refugjatët ukrainas në Moldavi.
Fondi i ndihmës emergjente do t’i jepet Federatës së Futbollit të Moldavisë, e cila tashmë po punon me organizatat humanitare lokale për të ndihmuar fëmijët refugjatë ukrainas që mbërrijnë në vend. Një pjesë e këtyre dispozitave do të përdoret gjithashtu për të ofruar ilaçe dhe furnizime për spitalet e fëmijëve në Ukrainë.
“Fëmijët janë shumë të cenueshëm gjatë konflikteve dhe është detyra jonë të ndihmojmë në mbrojtjen e të drejtave të tyre themelore dhe shëndetin e tyre. Falë solidaritetit të futbollit evropian dhe mbështetjes së partnerëve tanë, ne do të jemi në gjendje të ofrojmë një pjesë të ndihmës urgjente për të cilën kanë nevojë fëmijët në Ukrainë dhe në vendet fqinje”, ka thënë presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, njëherësh kryetar i ‘Fondacionit UEFA për Fëmijët’.
‘Fondacioni UEFA për Fëmijët’ synon të ndihmojë fëmijët dhe të mbrojë të drejtat e tyre, për shembull përmes sportit dhe futbollit. Ai ofron mbështetje në fushat e shëndetësisë, arsimit, qasjes në sport, zhvillimit personal, integrimit të pakicave dhe punësimit.
Fondacioni, një organ i shërbimeve publike sipas ligjit zviceran, u krijua dhe filloi aktivitetet më 24 prill të vitit 2015. Fondacioni aktualisht investon në 180 projekte dhe deri më tani ka financuar më shumë se 400 projekte në 130 vende të botës. Më shumë se 1.8 milion fëmijë kanë përfituar tashmë nga puna e këtij fondacioni që nga krijimi i tij. /Telegrafi/