Site icon Telegrafi

Fjalët e para të kryeministrit Kurti: Sot po hapet një kapitull i ri për Kosovën

Në fjalimin e parë si kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se sot po hapet një kapitull i ri për Republikën e Kosovës.

Pas betimit që ka bërë, kryeministri Kurti, i është drejtuar deputetëve të Kosovës me një fjalim.

“Sot po e hapim një kapitull të ri të Republikës së Kosovës. Ajo që ngjante e pamundur ishte vetëm në dukje, sepse një popull që refuzon të nënshtrohet e bënë çdo gjë të mundur. Është populli që me zgjedhjen e lirë dhe ne me angazhimin tonë i japim kuptim Kushtetutës dhe ligjit tonë dhe vendosim për mënyrën e jetës sonë. Këtë e kemi bërë me 6 tetor, këtë po e bëjmë edhe sot me formimin e Qeverisë. Ndryshe nuk mund të ishte dhe nuk mund të jetë, populli ynë nuk ka duruar kurrë robërinë dhe kurrë pushtuesit e jashtëm por as pushtuesit e brendshëm”, ka thënë Kurti, transmeton Telegrafi.

Ai ka shtuar se me Qeverinë që do ta udhëheq ai kanë fituar qytetarët e Kosovës.

Qeveria Kurti do t’i ketë 15 ministri, dy zëvendëskryeministra dhe 33 zëvendësministra.

Glauk Konjufca (Ministria e Punëve të Jashtme), Albulena Haxhiu (Ministria e Drejtësisë), Besnik Bislimi (Ministria e Financave), Rozeta Hajdari (Ministria e Ekonomisë), Arben Vitia (Ministria e Shëndetësisë), Blerim Reka (Ministria e Integrimeve Evropiane), Lumir Abdixhiku (Ministër i Infrastrukturës), Agim Veliu (Ministër i Punëve të Brendshme), Anton Quni (Ministër i Mbrojtjes), Hikmete Bajrami (Ministre e Arsimit), Vlora Dumoshi (Ministre e Kulturës), Besian Mustafa (Ministër i Bujqësisë).

Lexo po ashtu Marrëveshja për bashkëqeverisje LVV-LDK, për presidentin do të merren vesh dy liderët me një akt të veçantë (Dokument)

Ndërsa, ministre nga radhët e minoriteteve jo serbe është Emilia Rexhepi që do të udhëheq Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, ndërsa nga minoritetet serbe janë Dalibor Jevtiq që do të udhëheq Ministrinë e Kthimit dhe Ivan Milojeviq që do të udhëheqë Ministrinë për Zhvillim Rajonal. /Telegrafi/

 

Exit mobile version