Suedia dhe Finlanda pritet të aplikojnë për t’u bashkuar me NATO-n këtë verë, kanë raportuar media të huaja, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar.
Në vazhdën e agresionit rus në Ukrainë, politikanët në Finlandë dhe Suedi “ringjallën” thirrjet për t’u bashkuar me NATO-n, e cila aktualisht përbëhet nga 30 shtete anëtare.
Bëhet fjalë për Finlandën që ndanë një kufi prej 1330 kilometrash me Rusinë dhe Suedia fqinje me Finlandën.
Dhe siç raporton The Times, Finlanda pritet të dërgojë aplikimin e saj në qershor, me Suedinë që do të pasojë menjëherë pas kësaj, shkruan Business Insider, përcjell Telegrafi.
Ndryshe, zyrtarët amerikanë i thanë The Times se anëtarësimi në NATO për të dy shtetet ishte “një temë bisede dhe sesionesh të shumta” gjatë bisedimeve midis ministrave të jashtëm të vendeve të NATO-s të mërkurën e kaluar.
Lidhur me këtë, Sanna Marin, kryeministrja e Finlandës, tha më herët në prill se “Rusia nuk është fqinji që menduam se ishte”.
Lajmet për anëtarësimin e mundshëm të Finlandës dhe Suedisë ka të ngjarë të jenë të goditëse për Rusinë.
Në mars, një zyrtar i ministrisë së jashtme ruse paralajmëroi për “pasoja të rënda ushtarake dhe politike” nëse Finlanda ose Suedia do të përpiqeshin të anëtarësoheshin në NATO.
Edhe Putin ka thënë prej kohësh se çdo zgjerim i NATO-s në lindje përbënte një kërcënim të drejtpërdrejtë për sovranitetin dhe sigurinë ruse.
Madje, një nga kushtet kryesore të Rusisë për një armëpushim në pushtimin e saj në Ukrainë është që Ukraina të premtojë se nuk do të anëtarësohet kurrë në NATO.
Vendet e NATO-s së fundmi kanë rritur numrin e trupave në vendet afër Rusisë, si Polonia. Nëse Finlanda bashkohet me NATO-n, kjo do t’i lejojë trupat perëndimore të zgjerojnë praninë e tyre në kufirin e Rusisë. /Telegrafi/