Presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, ka vizituar Kosovën të premten dhe për këtë ka shkruar faqja zyrtare e FIFA-s, duke i dhënë një rëndësi të veçantë kësaj vizite, ku i pari i futbollit botëror takoi edhe drejtuesit e shtetit.
Presidentja e Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, ka folur për fuqinë e futbollit për t’u bashkuar kur takoi Infantinon, gjatë vizitës së tij të premten në Prishtinë, shkruan FIFA.
FIFA shkruan për vizitën e Infatinos nga fillimi, kur u prit nga kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi dhe vizita e tij në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku Kosova i zhvillon ndeshjet në shtëpi.
“Në vizitën e tij në Kosovë diskutuam për fuqinë unifikuese të futbollit, përmirësimin e mëtejshëm të infrastrukturës sportive dhe vazhdimin e fuqizimit të talenteve tona të shquara”, ka thënë presidentja Vjosa Osmani, shkruan FIFA.
I thanked @FIFAcom President Gianni Infantino for his commitment to helping Kosovo become an international success story.
In his visit to Kosovo, we discussed the unifying power of football, further improving sports infrastructure & continuing to empower our remarkable talents. pic.twitter.com/2CcdYtNIdf
— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) September 30, 2022
Ndër çështjet e diskutuara nga Infantino dhe Ademi ishin idetë për një stadium kombëtar në Kosovë dhe ndërtimin e më shumë fushave të futbollit.
“Presidenti i FIFA-s ka ndjekur edhe një prezantim të FFK-së për projektet e FIFA Forward që janë duke u ndërmarrë në vend. FFK-ja është angazhuar në mënyrë aktive me programin FIFA Forward që nga fillimi i tij në vitin 2016”.
“Ajo ka angazhuar fonde nga projekti FIFA Forward për ndërtimin e gjashtë fushave artificiale për klubet e ligës dhe një projekt për zbatimin e teknologjisë VAR”, shkruan FIFA.
Gianni Infantino ka pasur takime të ndara edhe me: kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti; Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku; dhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, i cili i dorëzoi çelësin e kryeqytetit.
Presidenti i FIFA-s shoqërohej nga fituesi i Kupës Botës dhe tani këshilltar i lartë i futbollit në FIFA, Youri Djorkaeff, si dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) Armand Duka dhe Presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut (FFM) Muamet Sejdini.
FIFA në fund ka shkruar se si Kosova u bë anëtare e FIFA-s në vitin 2016. Kosova drejtohet nga Alain Giresse, një ish-mesfushor francez, dhe mundi Qipron 5-1 të martën në Ligën e Kombeve të UEFA-s, ndeshja e tyre më të fundit. /Telegrafi/