Telegrafi

Fëmija palestinez ndëshkon me karton të kuq ushtarin izraelit, foto e shpërndarë nga Ozil bëhet virale në rrjetet sociale

Mesut Ozil është njëri nga futbollistët më të dashur në botë dhe ai ka miliona ndjekës nëpër rrjetet sociale.

Ylli turko-gjerman është rikthyer të luaj në Turqi, ku ka nënshkruar kontratë me gjigantin Fenerbahce.

Gjatë ditës së djeshme, Ozil publikoi një foto ku në sfond shihej xhamia Al-Aqsa në Jeruzalem, duke shkruar se lutej për vëllezërit dhe motrat e tij në Palestinë.

E gjatë ditës së sotme Ozil ka publikuar një tjetër fotografi që ka të bëjë me luftën mes Palestinës dhe Izraelit.

Aty shihet një fëmijë me fanellën e Ozil të Real Madridit dhe me një top në dorë përballë një ushtari izraelit.

Fëmija në foto është duke i treguar kartonin e kuq ushtarit izraelit dhe Ozil ka vendosur ta shpërndajë atë në rrjetet e tij sociale si Instagram, Facebook e Twitter.

Përkundër që e publikoi foton, Ozil nuk vendosi të shkruaj asgjë, pasi sipas komentuesve kjo foto vlen më shumë se 1000 fjalë.

Foto e publikuar nga mesfushori ofensivë është bërë virale në rrjetet sociale, pasi ajo ka marrë miliona pëlqime dhe shpërndarje. /Telegrafi/