Aktorja hollivudiane, Anne Heche, ka ndërruar jetë të premte (12 gusht), pasi disa ditë më parë pati një aksident të rëndë me veturë.
Ajo ishte e njohur për publikun falë roleve të saja në filmat, si “Donnie Brasco” (1997), “Volcano” (1997), “Six Days, Seven Nights” e “Psycho” (1998), ndërsa jeta e saj u shënua nga një fëmijëri e vështirë dhe abuzimi që duroi.
Heche luftoi me probleme të shëndetit mendor dhe historia e saj e errët familjare ishte një arsye kryesore për këtë. Aktorja ka treguar në memoaret e saj se babai e kishte abuzuar seksualisht kur ishte fëmijë.
Por, kjo është vetëm maja e shkëmbit të madh të dramës familjare që aktorja duhej të kalonte. Babai e kishte përdhunuar që nga mosha shumë e re, ndërsa më vonë ai u bë një nga njerëzit e parë në Amerikë që u diagnostikua me AIDS. Donald Heche jetoi fshehurazi një jetë të egër si homoseksual dhe përfundimisht vdiq nga HIV në vitin 1983. Në atë kohë, Anne ishte 14 vjeçare.
Menjëherë pas vdekjes së babait, në një aksident automobilistik vdiq edhe vëllai i saj. Ajo veçmë e kishte humbur një motër më të vogël në moshë të re, ndërsa gjithashtu e humbi motrën tjetër nga kanceri si e rritur.
Pas vdekjes së babait, nëna e saj, Nancy Heche, kur mësoi për burrin e saj të mbyllur që vdiq nga AIDS-i, filloi një “kryqëzatë” kundër homoseksualitetit.
Për më shumë, marrëdhënia lesbike e Anne me Ellen Degeneres përfundimisht e largoi atë nga nëna dhe motra tjetër. Në memoaret e saj, aktorja ka rrëfyer se nëna e saj i kishte hedhur poshtë të gjitha akuzat tronditëse për përdhunim ndaj babait të aktores.
Fëmijëria traumatike pati ndikim të madh në jetën e saj edhe si e rritur, duke qenë se Heche krijonte lidhje emocionale me burra të moshuar, më pas krijoi lidhje lesbike me Ellen duke thënë se ishte homoseksuale, porse në fund iu kthye përsëri burrave.
Anne Heche was on cocaine during fiery crash: report https://t.co/AAiIZQSZMe pic.twitter.com/otpbOoeTe1
— New York Post (@nypost) August 11, 2022
Anne Heche mbeti me lëndime të rënda në një aksident automobilistik që ndodhi në periferi të Los Angelesit më 6 gusht. Siç raporton TMZ, ajo humbi kontrollin e automjetit dhe u përplas në një garazh aty pranë.
Kalimtarët u përpoqën ta ndihmonin, por ajo vendosi ta vazhdonte vozitjen. Pas disa sekondash, goditi sërish një shtëpi tjetër dhe Mini Cooperi i saj mori flakë.
Aktorja ndërroi jetë ditën e premte (12 gusht) në moshën 53 vjeçare, pas ndërprerjes së aparateve që e mbanin gjallë, duke qenë se truri i saj kishte vdekur.
Artistja, e cila ka luftuar ndër vite me varësinë e saj nga droga, kishte thithur shumë kokainë gjatë vozitjes që pasoi me aksidentin tragjik që ia mori jetën. /Telegrafi/