Site icon Telegrafi

Familja e Kryeministrit Kurti parakalon në tapetin e kuq të Festivalit të Filmit në Kanë

Në Kanë të Francës po mbahet nata finale e festivali tradicional i filmit, përkatësisht edicionit të 74-të i tij.

Në edicionin e sivjetmë garojnë dy filma me produksion kosovar, e ata janë filmi i metrazhit të shkurtër “Pa vend” me regji të Samir Karahodës, dhe filmi i metrazhit të gjatë, “Luaneshat e Kodrës”, i regjisores së re Luàna Bajrami.

Atje ndodhet edhe familja kryeministrore, e përbërë nga shefi i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti me bashkëshorten, Rita Augestad Knudsen, dhe vajzën e tyre Lea.

Kryeministri Kurti është dukur mjaft elegant i veshur me një kostum të zi zyrtar, teksa vëmendja më e madhe ka kaluar te gruaja e tij norvegjeze, e cila është dukur tejet glamuroze e veshur me një fustan të gjatë në ngjyrë të verdhë.

Ndërkohë, vajza e tyre e vogël është veshur me një fustan të linjës “Strawberry Dress” të kreatores shqiptare që jeton dhe vepron në Amerikë, Lirika Matoshi.

Kosova konkurron sonte për çmimet “Palma e Artë” me filmin e regjisorit Karahoda dhe për çmimin “Kamera e Artë” me filmin e regjisores Bajrami.

Albin Kurti ndodhet me familjen e tij në Festivalin e Kanës në mbështetje të këtyre dy projekteve kinematografike, në pjesëmarrjen e atij që njihet si një prej festivaleve më prestigjioze të filmit në Evropë. /Telegrafii/

Exit mobile version