Site icon Telegrafi

Fadil Vokrri, legjendat nuk vdesin kurrë

Sot, 23 korrik 2018, do të ishte ditëlindja e 58-të e legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri. Futbollisti më i madh shqiptar ndërroi jetë para se ta festonte këtë ditë, mirëpo legjendat nuk vdesin kurrë.

Fadil Vokrri, ish kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) dhe një prej futbollistëve më të mirë në ish-Jugosllavi, lindi më 23 korrik 1960 në Sfeçël të Podujevës, kurse ndërroi jetë më 9 qershor 2018 në Prishtinë.

Karrierën si futbollist e nisi te skuadra e vendlindjes, KF Llapi, për t’iu bashkuar pastaj Prishtinës. Nga viti 1980 deri më 1986, Vokrri shkëlqeu me klubin e kryeqytetit të Kosovës, FC Prishtina, që në atë kohë ishte thuajse si reprezentacion.

 

Pikën kulmore me fanellën bardhekaltër, Vokrri dhe yjet tjerë shqiptarë e arritën kur e mposhtën Crvena Zvezdan në shtëpinë e vet, në Marakana të Beogradit.

Në atë kohë ylli nga Kosova që kishte marrë nofkën ‘Maradona shqiptar’, ishte pjesë edhe e përfaqësueses së Ish-Jugosllavisë.

Lexo po ashtu Lajmet për Fadil Vokrrin

Falë paraqitjeve fantastike me Prishtinën ku në 172 ndeshje realizoi 55 gola, Vokrri u transferua te Partizani i Beogradit. Legjenda e futbollit kosovar vazhdoi karrierën në Francë te Nimes, ndërsa në Turqi luajti për gjigantin Fenerbahce.

Edhe pse ishte idhull i tifozëve turq, Vokrri u kthye sërish në Francë duke luajtur për dy klubet e fundit në karrierë, Bourges 18 dhe Montlucon.

Për ish-Jugosllavinë, Vokrri ka regjistruar 12 ndeshje duke arritur të shënojë gjashtë gola.

Pas kthimit në Kosovë, fillimisht u angazhua nga ish-klubi i tij, Prishtina, si drejtor sportiv. Ndërsa në vitin 2008, Vokrri u zgjodh president i Federatës së Futbollit të Kosovës me një mandat katërvjeçar.

Ashtu si ishte një futbollist legjendar, vazhdoi punën edhe në krye të shtëpisë më të madhe të futbollit në Kosovë. Vokrri ishte më meritori për pranimin e FFK-së me të drejta të plota në UEFA dhe FIFA.

Fadil Vokrri do të kujtohet si njeriu më madh i futbollit tonë! /Telegrafi/

Exit mobile version