Site icon Telegrafi

Fabregas me mesazh pikëllues për vdekjen e Jose Antonio Reyes

Cesc Fabregas ka postuar një mesazh pikëllues për ish-shokun e tij të skuadrës, Jose Antonio Reyes, që ndërroi jetë pas aksidentit tragjik që pësoi të shtunën.

Ish-klubi i tij, Sevilla, ka konfirmuar për tragjedinë që ndodhi sot, duke e lënë të vdekur 35-vjeçarin. “Nuk mund të konfirmonim lajme më të këqija, ylli ynë i dashur, Jose Antonio Reyes, ka ndërruar jetë pas një aksident trafiku”, thuhej në njoftimin e klubit spanjoll.

Fabregas ka postuar në mesazh prekës në lidhje me vdekjen e Reyes, duke thënë se fillimisht ai ishte shoku i tij më i mirë dhe një djalë i mrekullueshëm.

“Shoku im i parë i mrekullueshëm në botën e futbollit, shoku im i dhomës, i cili dëshironte të flinte me kondicionerin ndezur edhe kur ishte -10 gradë Celzius. Një djalosh që e kishte gjithmonë fytyrën e qeshur, futbollist fantastik dhe një njeri fenomenal”, ka shkruar më tej mesfushori spanjoll.

Ish-reprezentuesi spanjoll ishte ende aktiv në futboll dhe aktivizohej te skuadra modeste spanjolle Extremadura UD.

Lexo po ashtu Tronditet bota e futbollit, humb jetën tragjikisht ish-sulmuesi spanjoll i Sevillës , Arsenalit dhe Real Madridit, Jose Antonio Reyes

Sulmuesi anësor e nisi karrierën te Sevilla, ndërsa luajti edhe për Arsenalin, Real Madridin, Atletico Madridin, Benfican, Cordoban, Espanyolin, si dhe skuadrën kineze XJ T. Leopard. /Telegrafi/

Exit mobile version