Ish-mesfushori i Chelseat, Cesc Fabregas “shpreson” që trajneri argjentinas, Mauricio Pochettino, të del emërimi i duhur për Blutë.
Pochettino u emërua trajneri i ri i Chelseat të hënën duke ardhur si pasues i Frank Lampard, i cili ishte i përkohshëm në rolin e tij pas Graham Potterit të shkarkuar.
Pritjet për trajnerin argjentinas janë të larta pasi ka drejtuar me sukses klubet si Southampton, Tottenham Hotspur dhe së fundmi Paris Saint-Germain.
Në lidhje me emërimin e Pochettinos ka folur edhe ish-lojtari i Bluve, Fabregas, i cili ka besim te argjentinasi.
“E kam takuar atë disa herë me pushime në Ibiza. Unë kam luajtur kundër tij padyshim kur ai ishte te Spurs dhe ne kemi biseduar pas ndeshjeve”, ka thënë fillimisht Fabregas për The Athletic.
“Mendoj se ai duket si një njeri shumë i arsyeshëm, shumë i qetë, që u jep shumë besim lojtarëve më të rinj dhe ka një strukturë të mirë dhe ka një staf të cilit i beson kaq shumë”.
“Shpresoj që ai të jetë njeriu i duhur për ta rikthyer Chelsean në pozicionin ku i takon”, përfundoi ish-mesfushori i Arsenalit dhe Chelseat. /Telegrafi/