Sipas një sondazhi, evropianët janë përgjithësisht të hapur ndaj idesë së anëtarësimit të Ukrainës në BE, pavarësisht kostove dhe rreziqeve.
Megjithatë, ata janë treguar “më pak në disponim” për zgjerimin e mundshëm të bllokut për të marrë edhe Gjeorgjinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ndryshe, Komisioni Evropian rekomandoi muajin e kaluar që bisedimet zyrtare të pranimit të fillojnë me Ukrainën dhe Moldavinë, përcjell Telegrafi.
Kështu, 27 krerët e qeverive të BE-së do të diskutojnë propozimin në një samit të Brukselit këtë javë – megjithëse kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán, ka thënë vazhdimisht se ai kundërshton hapjen e negociatave me Kievin.
Kujtojmë se zgjerimi është bërë një prioritet urgjent i BE-së që kur Rusia nisi luftën e saj kundër Ukrainës.
Komisioni në nëntor mbështeti gjithashtu bisedimet e hyrjes me Bosnje dhe Hercegovinën – pasi Sarajeva të jetë gati – dhe rekomandoi që Gjeorgjisë t’i jepej statusi i vendit kandidat.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha të hënën se do të ishte “shkatërruese” për Kievin dhe BE-në nëse samiti nuk do të mbështeste fillimin e bisedimeve të pranimit.
“Nuk mund ta imagjinoj… as nuk dua të flas për pasojat”, tha Kuleba.
Sondazhi i gjashtë vendeve anëtare të BE-së për Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR), gjeti mbështetje të konsiderueshme për kandidaturat e Ukrainës dhe, në një masë më të vogël, të Moldavisë dhe Malit të Zi, por edhe shqetësime të thella ekonomike dhe të sigurisë.
Sondazhi gjeti mbështetje për hyrjen e Ukrainës, më të lartë në Danimarkë (50%) dhe Poloni (47%), me opinion afërsisht të ndarë në Rumani (32% pro, 29% kundër), Gjermani (37% pro, 39% kundër) dhe Francë (29% pro, 35% kundër). Austria ishte 52% kundër.
Megjithatë, 45% e të anketuarve ishin të shqetësuar se pranimi i Ukrainës do të kishte një ndikim negativ në sigurinë e BE-së, kundrejt 25% që mendonin se do ta përmirësonte atë, ndërsa 39% besonin se hyrja e Kievit do të ndikonte negativisht në sigurinë e vendit të tyre.
Veç kësaj, shumë evropianë nuk panë asnjë përfitim ekonomik nga anëtarësimi i Ukrainës. Ndërsa 43% e të anketuarve në Poloni dhe 37% në Rumani panë një ndikim pozitiv për ekonominë e BE-së, 54% në Danimarkë dhe 46% në Austri parashikuan një kosto. /Telegrafi/