Kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, portieri Etrit Berisha ka dalë këtë të shtunë në konferencën zyrtare për mediat, në prag të ndeshjes ndaj Kombëtares së Anglisë, të vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës “Katar 2022”.
Ndeshja me Anglinë do të zhvillohet ditën e nesërme (28 mars 2021) në ora 18:00, në stadiumin kombëtar “Air Albania” dhe për shkak të kushteve të krijuara nga pandemia Covid-19, nuk do të ketë tifozë.
Tre ditë më vonë, Kombëtarja jonë do të luajnë në udhëtim ndaj San Marinos në ndeshjet e vlefshme për Grupin I.
Berisha u shpreh se skuadra e ka të qartë rëndësinë e ndeshjes ndaj Anglisë dhe do të mundohen ta shfrytëzojnë në maksimum për të marrë një rezultat pozitiv, për të lehtësuar rrugën drejt kualifikimit në Botëror.
Anglia? – Anglia është një ekip jashtëzakonisht i fortë dhe nëse merren të gjithë lojtarët që ka, ata kanë potencial për të krijuar raste dhe për t’i fituar ndeshjet, por ne e dimë rëndësinë e kësaj ndeshje dhe kualitetet e tyre. Do mundohemi ta përgatisim këtë ndeshje në mënyrën më të mirë të mundshme.
Mungesa e Kumbullës – Sa i përket Kumbullës, është një lojtar në rritje, por kemi edhe lojtarë të tjerë, që mund të luajnë shumë mirë në atë pozicion. Në këtë pikëpamje, jam shumë i sigurt që do bëjnë një paraqitje të mirë.
Presioni përpara ndeshjes – Anglia është një ekip shumë i mirë, një ndër më të mirat në botë. Sa i përket presionit, nuk është edhe aq i lartë, sa ndoshta mund të jetë në ndeshjet e tjera, për shkak se kemi edhe rivalet tona direkte. Kjo është një ndeshje në vete mendoj dhe ne do mundohemi që ta bëjmë mjaft të vështirë për anglezët dhe të mundohemi të marrim diçka nga ta. Nëse marrim një rezultat pozitiv atëherë edhe vetëbesimi në skuadër do të rritet edhe më shumë dhe rrugëtimi ynë drejt këtyre kualifikueseve do të jetë më i lehtë.
Ndeshja me Andorrën – Ndeshja me Andorrën, i dinim vështirësitë që do të kishim, pasi e njihnim kundërshtarin edhe më herët. Ka qenë e rëndësishme ta nisnim me këmbën e mbarë dhe të fitonim. Dhe kur fiton një ndeshje, atëherë gjithçka është më e lehtë, që të sfidohet edhe një ekip nga Anglia. Kombëtarja ka një kohë të gjatë që nuk ka luajtur ndeshje me ekipe me kualitete si Anglia. Motivimi te çunat është shumë i madh. Kjo është një ndeshje më vetë. Do të mundohemi të japim maksimumin dhe do të jetë shumë motivuese nëse marrim një rezultat pozitiv.
Lojtarët e rrezikshëm tek Anglia– Të gjithë lojtarët kanë kualitete, luajnë në Ligën më të fortë në botë. Nëse fokusohemi vetëm te një lojtar, atëherë gabojmë. Duhet t’i shikojmë të gjithë lojtarët, si skuadër. Por Kane dhe Sterling janë dy lojtarë të cilët kanë pasur shumë prezenca në Angli dhe ata mendoj se do jenë lojtarët më të rrezikshëm.