Samuel Eto’o ka konfirmuar se është pensionuar edhe zyrtarisht nga futbolli në moshën 38-vjeçare.
Ish-anëtari i Barcelonës, Interit dhe Chelseat, i ka dhënë fund karrierës së tij si futbollist profesionist me shumë trofe të fituar ndër vite.
Pas 22 vitesh në futbollin aktiv, lojtari nga Kameruni e luajti për vendin e tij në 118 ndeshje duke arritur që të shënonte 56 gola.
Ai u bë golashënuesi më i mirë në histori të kombëtares së tij, golashënuesi më i mirë në Kupën e Afrikës dhe katër herë lojtari i vitit në Afrikë, një rekord që e ndanë me Yaya Touren, ish-yllin e Manchester Cityt.
Pas gjithë këtyre të arriturave, Eto’o ka fituar edhe medaljen e artë Olimpike. Sulmuesi ka bërë një postim në Instagram duke shkruar: “Faleminderit të gjithëve, dashuri për të gjithë”.
Me Barcelonën, kamerunasi kishte fituar dy tituj të Ligës së Kampionëve, katër La Liga, dy Superkupa dhe një të Kupës së Mbretit. /Telegrafi/