Samul Eto’o i ka thënë Mohamed Salahut që të transferohet te Barcelona, në mënyrë që të bëhet lojtari më i mirë në botë.
Sulmuesi i Liverpoolit kishte paraqitje të jashtëzakonshme në sezonin 2018/2019, duke shënuar 27 gola në të gjitha garat, derisa e fituan edhe Ligën e Kampionëve.
‘The Reds’ e mposhtën Tottenham Hotspurin në Wanda Metropolitano më 1 qershor, për t’u shpallur skuadra më e mirë në Evropë, e që 27-vjeçari dha një kontribut të madh për këtë sukses.
‘Mbreti Egjiptian’ është duke u lidhur me një kalim te Real Madridi, mirëpo Eto’o i ka thënë që të kalojë te Blaugranët nëse dëshiron të bëhet më i miri në botë.
“Nëse ai e ka shansin të luajë në ligën më të mirë në botë, që është ajo e Spanjës, atëherë duhet të kalojë te Barcelona”, ka thënë 38-vjeçari.
“Barcelona do të ishte skuadra ideale për të. Real Madridi më dha mundësinë që të largohesha nga Afrika, por unë e di se Barcelona do t’i përshtatej më shumë stilit të tij”, ka shtuar më tej ish-sulmuesi i skuadrës katalunase.
Salah ka shënuar progres të madh në vitet e fundit, pasi në vitin 2014 e realizoi transferimin nga Baseli te Chelsea, e që më pas ka luajtur për skuadrat si Fiorentina dhe Roma, për të kaluar dy vite më parë në Anfield Road. /Telegrafi/