Biznesmeni, showmani, aktori, si dhe producenti Ermal Mamaqi në një intervistë dhënë për Telegrafin ka folur për suksesin në jetë dhe biznes si dhe pritshmëritë e tij nga konventa “Qëllimi është suksesi yt”, e cila është duke u mbajtur sot për herë të tretë në Prishtinë.
Mamaqi i cili në këtë konventë merr pjesë si trajner tha se janë dy rregulla në jetë për të qenë një njeri i suksesshëm.
“Kam dy rregulla: ‘qëndro besnik në punë të vogla që besohen të mëdha’ dhe e dyta ‘përulu dhe më shumë do të lartësohesh’. Nëse e bëni këtë mund të keni shanse që të jesh i suksesshëm”, tha ai duke shtuar se është hera e dy që është pjesëmarrës në këtë konventë. “Është hera e dytë që jam pjesëmarrës në këtë konventë dhe më pëlqeu shumë organizimi vjet. Këtë vit e ka një veçanti që jemi në kohën e COVID-it dhe online i ka përparësitë e veta, sepse me sa e di unë ka më shumë pjesëmarrës se që kanë qenë vjet”.
I pyetur se çfarë pret nga kjo konventë, Mamaqi tha: “Mendoj që edhe në Shqipëri ka filluar fryma e re e vetë përmirësimit, e vetëzhvillimit. Kjo filozofi, strategji e vete përmirësimit të vetes ka vite që vlon vërdallë nëpër botë dhe tani jam shumë i gëzuar që ne tjerët po e zhvillojmë këtë filozofi në Shqipëri. Ata që duan të zhvillohen e kanë një mundësi tashmë për të marr më të mirën e dijes. Qëllimi është që nëse njerëzit nuk përmirësohen, po përkeqësohen. Mundësi për të shkuar përpara është që të mësosh gjëra të tjera. Nëse do të kesh diçka që nuk e ke, duhet të bëhesh dikush që nuk je. Ajo që qëndron në mes janë aftësitë, mendësia për të bërë gjëra të reja”.
Mirëpo, a duhet të jemi vetëkritik për të qenë të suksesshëm, Mamaqi u shpreh: “Mendoj që duhet të jemi realist. Ka njerëz që e rëndojnë veten, e mbivlerësojnë veten. Të jesh realist është ajo që ti duhet ta dish se ku do të shkosh”, ka thënë Mamaqi.
Ndryshe, konventa “Suksesi është qëllimi yt”, është vendi i duhur për të promovuar kompaninë apo brendin tuaj, si dhe të afirmoheni në ngritjen e kapaciteteve të njohurive të reja dhe eksperiencave të ndryshme kudo në botë.
Kjo konventë, që mbahet një herë në vit i bashkon menaxherët për të ndarë idetë dhe çështjet e biznesit në shitje. /Telegrafi/