Të gjithë janë njohur tashmë me suksesin e padiskutueshëm të shqiptarëve në Evropë dhe kudo në botë.
Rita Ora, Dua Lipa, Majlinda Kelmendi e Era Istrefi janë ambasadoret më të mira të Kosovës.
Ato kanë bërë krenarë shqiptarët me suksese e tyre të vazhdueshme, ndërsa shkëlqimi më i fundit ishte ai i artistes kosovare Era Istrefi, e cila u zgjodh si interpretuesja e himnit për Kampionatit Botëror të Futbollit që mbahet në Rusi.
Dua Lipa në anën tjetër do të bëjë hapjen e ndeshjes finale në Ligën e Kampionëve, e cila mbahet në Kiev të Ukrainës më 26 maj.
Këtu nuk mund të harrojmë as Rita Orën, e cila iu bashkua UEFA-s për të promovuar futbollin për vajzat në Evropë.
E të gjitha këto suksese të çikave të Kosovës, faqja për promovimin ndërkombëtar të Kosovës, “Image of Kosovo”, i ka përmbledhur të treja në një imazh të titulluar “Hat-Trick”, fjalë e njohur si gërshetim i suksesit të të njëjtit lloj të tre personave.
Një fotografi e ngjashme me sloganin “Bac çikat na e zbardhen fytyrën”, ishte publikuar gjithashtu nga faqja “Image of Kosovo” për 10 vjetorin e Pavarësisë, ku të përfshira ishin Rita Ora, Dua Lipa dhe xhudistja Majlinda Kelmendi. /Telegrafi/