Gjatë një sesioni pyetje-përgjigje në Instagram, Francesco Totti ka folur për Fenomenin Ronaldo dhe për përpjekjet e tij që braziliani të transferohej te Roma.
Ikona romake ka thënë se ishte i vetëdijshëm se nuk mund ta bindte ish-lojtarin e Interit dhe Milanit që të nënshkruante për Giallorossët.
“Ëndrra ime ka qenë gjithmonë që të luajë me Ronaldon, Fenomenin. Do të kishim sjellë argëtim për 100 vite! Për mua, ai ka qenë më i miri nga të gjithë”, citon Vocegiallorossa.it fjalët e 43-vjeçarit.
Totti edhe në të kaluarën ka thënë se pendimi i vetëm në karrierën e tij ishte që nuk i është dhënë rasti të luante me Ronaldon.
“Gjithmonë e kam thënë – e vetmja gjë që më mbetet peng në karrierën time është që nuk kam mundur të luaj me Ronaldon. Do të kishte qenë ëndërr për ne të dy. Ai ka shënuar shumë gola, por po të më kishte mua pas, jam i sigurt se do të kishte shënuar akoma më shumë”, kishte deklaruar Totti në një intervistë të mëhershme për Corriere della Sera.
Si kundërshtarët, dy legjendat e futbollit janë takuar shtatë herë në nivel klubesh: katër herë kur ai luante te Interi, dy herë gjatë kohës kur ishte te Real Madridi dhe një herë kur luante te Milani. /Telegrafi/