Telegrafi

25 vite liri, qytetarët të emocionuar dhe krenarë gjatë parakalimit të Ushtrisë dhe Policisë së Kosovës

Me parakalimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe të Policisë së Kosovës në sheshet e Prishtinës, Kosova sot shënoi 25 vjetorin e çlirimit të saj, në ditën e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë më 12 qershor 1999, pas një fushate ajrore 78-ditëshe ndaj caqeve serbe, që çoi në tërheqjen e forcave serbe dhe përfundimin e spastrimit etnik dhe konfliktit të përgjakshëm.

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së gjatë luftës në Kosovë, William Walker, pasi ndoqi parakalimin e FSK-së dhe Policisë së Kosovës, në sheshin ‘Nëna Terezë’ takoi qytetarët të cilët ishin grumbulluar për përcjellur ngjarjen.

Walker nuk i kurseu përqafimet në takimet e ngrohta me qytetarët e të gjitha moshave duke shkrepur fotografi me ta.

William Walker, ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së gjatë luftës në Kosovë /Foto: Ridvan Slivova/

Në një prononcim për Telegrafin Walker tha se kjo është një ditë e mrekullueshme për të gjithë kosovarët.

“Për të gjithë shqiptarët dhe kosovarët, gjithashtu dhe serbët – çfarë dite të mrekullueshme përfaqëson kjo. Është përrallore”, tha shkurt Walker.

Edhe qytetarët e grumbulluar në shesh treguan emocionet, entuziazmin dhe krenarinë e tyre për paradën që ndoqën nga afër.

Lulzim Zhegrova tha se FSK-ja dhe Policia e Kosovës është krenaria e popullit shqiptar.

Lulzim dhe Sanije Zhegrova, qytetar/e

“Me kënaqësi e kam ndjekur paradën e FSK-së. Kjo është krenaria e popullit shqiptar të Kosovës, ku shumë breza kanë luftuar e sakrifikuar për me ardh kjo ditë. Jam shumë i kënaqur që qëllova këtu pasi që jetoj jashtë. Çdo herë kur vij këtu ndjehem krenar në vendin tim, në shtetin tim. Dëshiroj që sa më lart FSK-ja të forcohet, institucionet të forcohen dhe shteti të shkojë përpara”, tha ai për Telegrafin.

Edhe Faik Rashiti për Telegrafin tha se është një ndjenjë fantastike teksa i pa ushtarët dhe policët duke parakaluar.

Faik Rashiti, qytetar

Ndërsa, Hysen Hyseni nga Ferizaj u shpreh i emocionuar nga parakalimi i njësiteve ushtarake dhe policore.

Hysen Hyseni, qytetar

“Parada ka qenë e shkëlqyeshme. Më mirë nuk ka. Ishte shumë emocione sa që s’di çka të them”. /Telegrafi/