Telegrafi

Emisari gjerman takohet vetëm me Osmanin, Kurtin dhe Abdixhikun

Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka takuar të hënën liderët e shtetit të Kosovës.

Përveç presidentes, Vjosa Osmani dhe kryeministrit, Albin Kurti, Sarrazin nga partitë opozitare ka takuar vetëm kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Për takimin me Abdixhikun, Sarrazin ka njoftuar në rrjetet sociale. “Në Kosovë sot për të shprehur solidaritet’’, është përshkrimi i fotografive nga takimet që emisari ka pasur në Kosovë.

Pas takimit me emisarin gjerman, kreu i LDK-së, Abdixhiku tha se e ka falënderuar Sarrazin për mbështetjen e Gjermanisë gjatë ditës së djeshme.

“Shpreha domosdoshmërinë e dënimit ndërkombëtar ndaj gjuhës urrejtëse e luftënxitëse të Vuçiq kundrejt institucioneve dhe popullit të Kosovës.

Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për sponzorizimin dhe strehimin e terroristëve”, ka shkruar Abdixhiku.

Vizita e emisarit gjerman erdhi si urgjencë pas sulmit të djeshëm ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, në veri të Kosovës.