Telegrafi

Emisari Escobar javën tjetër në Prishtinë, Hovenier: Dialogu është rruga më e mirë për të arritur rezultate

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier ka konfirmuar se javën tjetër në Prishtinë do të qëndroj për vizitë emisari special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ambasadori Hovenier përmes një postimi në Twitter ka shkruar se dialogu mbetet mënyra e vetme që Kosova të jap rezultate për qytetarët e saj.

“Unë dhe ekipi im, mezi presim që mirëpresim Përfaqësuesin Special Escobar në Kosovë javën e ardhshme. Progresi në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, mbetet mënyra më e mirë për siguruar që liderët kosovarë mund të japin rezultate për qytetarët dhe që Kosova të njihet dhe të zë vendin e merituar si lidere botërore”, ka shkruar Hovenier.

Edhe departamenti amerikan i Shtetit, byroja e çështjeve evropiane dhe euroaziatike, ka njoftuar i dërguari special i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do ta vizitojë Prishtinën javën e ardhshme së bashku me të dërguarin special të BE-së, Miroslav Lajçak për të shtyrë përpara çështjen e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

”I dërguari amerikan, Gabriel Escobar do t’i bashkohet të dërguarit special Miroslav Lajçakut në Bruksel, Prishtinë dhe Beograd nga 30 janar deri më 4 shkurt, për të inkurajuar liderët e Kosovës dhe Serbisë për të normalizuar marrëdhëniet”, thuhet në njoftim.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Rundi i fundit i dialogut në nivel të lartë, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq është mbajtur në korrik të vitit 2021. /Telegrafi/