Telegrafi

Emery: Nuk e kemi kontaktuar Barcelonën për Coutinhon

Unai Emery ka mohuar zërat se Arsenali ka biseduar me Barcelonën për një transferim të mundshëm të Philippe Coutinhos.

Lojtari 27-vjeçar po lidhet me një largim të mundshëm nga skuadra katalunase, pas dështimit për ta gjetur vetën në Camp Nou.

Braziliani u transferua te Blaugranasit në janarin e vitit 2018 nga Liverpooli, mirëpo nuk ka arritur ta tregojë formën e lartë që e kishte në Anfield edhe në La Liga.

“Ne nuk kemi folur asnjëherë për Coutinhon”, ka thënë Emery pas humbjes që pësoi nga Barcelona në kuadër të trofeut “Gamper”.

Lexo po ashtu Arsenali tenton transferimin e Coutinhos në formë huazimi

“Ai është një lojtar fantastik, por ne nuk kemi biseduar me Barcelonën për të. Në media është raportuar se ne kemi zhvilluar kontakte, por ajo nuk qëndron”, ka shtuar më tej trajneri spanjoll.

Mediat në Angli ditë më parë kanë raportuar se Arsenali ishte i interesuar në huazimin e brazilianit, mirëpo Emery ka mohuar këta zëra. /Telegrafi/