Telegrafi

Elbasan Rashani transferohet te klubi spanjoll

Sulmuesi anësor i Kosovës, Elbasan Rashani ka nënshkruar zyrtarisht me klubin spanjoll, Elche, duke kompletuar transferimin nga Clermont.

Afati kalimtar i verës ka qenë produktiv edhe për futbollistët shqiptarë, të cilët kanë ndryshuar skuadra.

Njëri nga ta padyshim se është edhe sulmuesi anësor, Elbasan Rashani, i cili është transferuar në orët e fundit të afatit kalimtar te Elche, klub që garon në La Liga 2.

“Elche CF ka arritur marrëveshje me futbollistin Elbasan Rashani për t’u bërë një futbollist i ri i Elche CF”, thuhet në njoftim.

Detajet e transferimit nuk janë bërë publike, ndërsa lojtari ka nënshkruar kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2026.

Ndryshe, Rashani ka një karrierë të pasur duke luajtur më parë me klube si Odd BK, Brøndby IF dhe Rosenborg në Norvegji përpara se të kalonte te Erzurumspor në Turqi e pastaj në sezonin 2021/22 te Clermont Foot në Ligue 1.

Te klubi francez, Rashani pati shkëlqimin më të madh duke luajtur 85 ndeshje në Ligue 1 dhe duke shënuar me 13 gola dhe 7 asistime. /Telegrafi/