Një tjetër futbollist nga Kosova mund t’i bashkohet gjigantit turk Fenerbahce.
Në fakt skuadra e madhe nga Stambolli ka dërguar një anëtar të stafit teknik në Kosovë për ta parë nga afër objektivin e tyre.
Fjala është për mbrojtësin e djathtë Florent Hadergjonaj, i cili ka shkëlqyer në ndeshjet me Kosovën.
Telegrafi merr vesh nga burimet e saj se ish-portieri legjendar i Fenerbahces, Volkan Demirel ka qenë prezent në Prishtinë për ta parë nga afër Hadergjonajn në ndeshjen ndaj Malit të Zi.
Demirel aktualisht është pjesë e stafit të gjigantit turk dhe ka pozitën e ndihmësit të trajnerit Ersun Yanal.
Mauricio Isla është aktualisht mbrojtës i djathtë te Fenerbahce, por kiliani do të largohet në verë pasi skadon kontrata e tij.
Verdhekaltërtit si duket janë dashuruar me kosovarët pas paraqitjeve brilante të Vedat Muriqit me fanellën e tyre.
Tani synohet transferimi i Hadergjonajt i cili është pjesë e skuadrës angleze Huddersfield Town.
25-vjeçari nga Deçani ka bërë një përvojë të madhe në arenën ndërkombëtare, pasi përpos elitës së futbollit zviceran ka luajtur një vit në Bundesliga me Ingolstadin si dhe dy vite të tjera në elitën e futbollit anglez me Huddersfieldin.
Hadergjonaj ka zhvilluar deri më tani pesë paraqitje me Kosovën ku në të gjitha ndeshjet ka shkëlqyer.
Në takim me Malin e Zi, Florenti ishte asistues tek goli i dytë i shënuar pikërisht nga ylli i Fenerit, Vedat Muriqi.
Burimet e Telegrafit kanë konfirmuar se drejtuesit e klubit turk kanë mbetur të kënaqur me paraqitjen e Hadergjonajt dhe pritet oferta në janar në drejtim të Huddersfieldit për kosovarin.
Besohet se klubi anglez është gati ta lë Hadergjonajn të lirë të largohet për një shumë rreth pesë milionë euro.
Ndryshe për lojtarin interesim ka shfaqur edhe Fulham, Celtic si dhe disa ekipe italiane e gjermane. /Telegrafi/