Zymer Bytyqi është futbollisti i radhës që ka filluar shkëlqimin në elitën e futbollit turk.
Ylli nga Kosova iu bashkua në janar skuadrës së madhe turke Konyaspor, ku ka filluar të lë gjurmë, pasi tanimë ka shënuar dy gola dhe ka bërë pesë asistime.
Falë paraqitjeve fantastike të tij, Bytyqi u bë shënjestër e tri Kombëtareve, ku Kosova dhe Shqipëria e kërkuan, por së fundmi interesim kishte shprehur edhe Norvegjia.
24-vjeçari ishte grmbulluar më parë për Dardanët në ndeshje miqësore, derisa kishte luajtur edhe për grupmoshat e Norvegjisë.
Ekipi i Telegrafit ka qenë në Konya të Turqisë, duke bërë një reportazh për karrierën e lojtarit.
Në një rrëfim ekskluziv, Bytyqi ka treguar se ka vendosur që të luaj për Kosovën, duke falënderuar edhe Norvegjinë e Shqipërinë për interesimin.
“Së pari kam shumë respekt për Kombëtaret e interesuara për mua (Norvegjia dhe Shqipëria), por kam pasur kontakte me trajnerin Bernard Challandes dhe menaxherin Bajram Shala, ku kemi folur mirë dhe bisedat ishin shumë pozitive”.
“Për me vendos kam qenë i vendosur moti që dua të luaj për Kosovën pasi është vendi im dhe për Kosovën rreh më së shumti zemra”, tha ekskluzivisht për Telegrafin, Zymer Bytyqi.
“Në mars nuk ishte i grumbulluar, edhe pse tifozët të kanë kërkuar shumë, por a do ta shohin Zymerin të grumbulluar? Kismet po, do të jem në Kosovë”, tha Bytyqi.
Përfaqësuesja e Kosovës në qershor do t’i luajë dy ndeshjet miqësore ndaj San Marinos dhe Kazakistani.
Bytyqi pritet të jetë në listën e trajnerit Bernard Challandes pasi ai tanimë ka vendosur përfundimisht që t’i përfaqësojë Dardanët. /Telegrafi/