Trajneri i Shqipërisë, Edy Reja është i pakënaqur me shortin për kualifikimet në Kampionatin Botëror ‘’Katar 2022’’.
Italiani ka thënë se në një grup me Anglinë, Poloninë dhe Hungarinë është thuajse e pamundur, por ai garanton se Shqipëria do të luajë me të gjitha mundësitë.
Tekniku shton se në rast se Shqipëria renditet e 3-ta në këtë grup atëherë tregon se ka rritje. Ai nuk fsheh dëshirën që shorti t’i kishte rezervuar grupin e Kroacisë që e cilëson si të përshtatshëm, kurse atë të Danimarkës e konsideronte si idealin për Shqipërinë.
”Ky është grupi më i keq që mund të na binte. Ai i Kroacisë ishte më i përshtatshëm, ndërsa ai i Danimarkës do të ishte ideali”, ka thënë Reja.
“Është në grup i vështirë, thuajse i pamundur, por ne nuk dorëzohemi. Do luajmë mundësitë tona. Me Hungarinë është e pamundur që të zhvillojmë miqësore dhe do gjejmë një zgjidhje tjetër për qershorin”.
“Në Ligën e Kombeve kemi bërë mirë, por duhet të përmirësohemi. Për Anglinë nuk ia vlen të flasim se e njohim. Ne do luajmë mundësitë me Poloninë dhe Hungarinë. Shpresoj që të tregojmë rritje në ndeshjet tona”.
“Por, shpresoj shumë që kur të fillojmë këto ndeshje, pandemia mund të jetë larguar dhe ne të kemi tifozët tanë, pasi mund të na japin një ndihmë të madhe”.
“Ne nuk është se nuk do provojmë shanset tona. Ne do tentojmë gjithçka, por është e vështirë. Nëse do renditemi të tretët, do tregojë se ne kemi rritje.
“Këto janë ndeshje me rivalë që do na falin eksperiencë. Nëse nuk arrijmë Botërorin, në do bëjmë gjithçka të kemi një skuadër gati për Evropianin e 2024. Sot votova si lojtarin më të mirë Lewandowskin, uroj të mos jetë shumë në formë përball nesh”, ka përfunduar strategu i kuqezinjve. /SS/