Site icon Telegrafi

Edhe tri skuadra tjera angleze futen në garë për transferimin e Armando Brojës

Armando Broja po kalon momentet më të mira në karrierën  e tij deri më tani.

Sulmuesi shqiptar është huazuar nga Chelsea në Southampton ku ka bërë paraqitje shumë të mira, madje duke shënuar thuajse rregullisht.

Broja ka arritur të realizoj pesë gola në Ligën Premier, derisa dy të tjerë në Kupën e Ligës angleze, duke rritur ndjeshëm çmimin e tij, por edhe duke bërë që skuadrat tjera ta duan.

Southampton ka pyetur Chelsean për çmimin e lojtarit pasi duan ta transferojnë, por konkurrenca për të është shumë e madhe.

Përveç klubit aktual ku Broja është i huazuar, për shqiptarin ka shprehur interesim edhe West Ham United dhe Newcastle United.

Por së fundmi në garë për shqiptarin janë futur edhe skuadra të tjera me nam në Angli.

Leeds United, Everton dhe Wolverhampton Wanderers janë tri skuadrat tjera angleze që duan shërbimet e sulmuesit të talentuar shqiptar.

Chelsea ende nuk ka marrë një vendim nëse do ta shes përfundimisht yllin e ri, apo do të vazhdojë ta dërgojë në huazim.

Gjithsesi sipas Team Talk, çmimi fillestar i Brojës është 25 milionë euro dhe mund të shkoj edhe më lartë, varësisht nga paraqitja e yllit të Kombëtares shqiptare.

21-vjeçari përveç shtatë golave në të gjitha garat, ka bërë edhe një asistim këtë edicion me fanellën e Southampton. /Telegrafi/

Exit mobile version