Eneda Tarifa, Teuta Kurti, Flaka Krelani, Luiz Ejlli, Klajdi Musabelliu, Florent Abrashi, Lindi Islami, Renis Gjoka dhe Adrian Lulgjuraj, janë këngëtarët e njohur, të cilët do t’i shohim në skenën e edicionit të 54-të të Festivalit të Këngës në Radio Televizion Shqiptar.
E siç e do tradita, edhe këtë vit nga ky festival vendoset se kush do ta përfaqësojë Shqipërinë në “Eurosong 2016”, i cili do të mbahet në Suedi.
Ka ndodhur pothuajse çdo herë që në momentin kur janë bërë të ditur konkurrentët e Festivalit të RTSH-së, menjëherë kanë nisur spekulimet se kush mund të fitojë, e që në të shumtën e rasteve ka dalë të jetë ashtu. Kujtojmë rastet me Elhaida Danin, Aurela Gaçen e Ledina Çelon.
Por, një gjë e tillë nuk po ndodh këtë vit. Deri tash nuk ka ndonjë emër për të cilin po përflitet si fitues i mundshëm.
Emisioni “Express” i KTV-së ka mësuar se në një të ardhme të afërt në këtë festival mund të marrë pjesë edhe këngëtarja, e cila në Shqipëri vlerësohet si pop-diva shqiptare, Elvana Gjata.
E po ndodhi kjo, një gjë është më se e garantuar. Fitorja për Elvanën do të jetë e pashmangshme, ngase këtë e kanë dëshmuar pjesëmarrjet e viteve të fundit.