Ish-kryeministri italian, Silvio Berlusconi është thellësisht i zhgënjyer dhe i pikëlluar nga sjellja e presidentit rus, Vladimir Putin.
Kjo ishte hera e parë që italiani flet publikisht për mikun e vjetër që nga fillimi i agresionit në Ukrainë.
“Jam i zhgënjyer dhe i trishtuar nga vendimet e Putinit”, tha Silvio Berlusconi në fjalimin gati 40-minutësh në konventën e partisë Forza Italia në Romë, transmeton Telegrafi.
Sipas Berlusconit, krimet e luftës janë kryer në Bucha dhe Rusia nuk mund ta mohojë këtë. Sa i përket përfundimit të luftës, Berlusconi thotë se kjo varet nga Rusia.
“Tani i takon Rusisë që të ndërmarrë një hap në drejtimin e duhur dhe të heshtë armët”, tha ai sot dhe më pas komentoi qëndrimin ndaj Vladimir Putinit.
“Putin duhet të marrë përgjegjësinë e plotë për pushtimin e Ukrainës”, deklaroi ai.
Siç kujton reuters, Berlusconi një herë tha se Putin ishte “si vëllai i tij më i vogël”.
“E takova 20 vjet më parë dhe ai gjithmonë dukej si një njeri i demokracisë dhe paqes … sa keq”, pohoi miliarderi italian
“Sulmi ndaj Ukrainës, në vend që ta sillte Rusinë në Evropë, e hodhi atë në krahët e Kinës… sa keq, sa keq”, tha Silvio Berlusconi, ish-kryeministri italian që mbajti këtë post tre herë 1994- 95. 2001-2006 dhe 2008-2011. /Telegrafi/