Telegrafi

Dzeko ka fituar zemrat e të gjithëve në Fenerbahce – ai dhuroi premion e tij për derbin me Galatasarayn për punëtorët e klubit

Sulmuesi boshnjak Edin Dzeko bëri një lëvizje që ka fituar zemrat e tifozëve turq , duke hequr dorë nga premiot pak para ndeshjes me Galatarasay.

Dy rivalët e Stambollit do ta luajnë ndeshjen e radhës të premten në Superkupën e Turqisë që zhvillohet në Riad.

Sipas mediave turke, Dzeko u ka thënë drejtuesve se nuk i duheshin parat dhe vendosi që pjesën e tij t’ua shpërndajë punëtorëve të klubit.

“Ne tashmë marrim një rrogë nga klubi për të luajtur dhe për të fituar. Nuk na duhet premio për të mundur Galatasarayn. Ndani pjesën time me punonjësit e klubit, le të hyjnë në vitin e ri të lumtur me familjet e tyre”, ka thënë Dzeko.

Ndeshja Galatasaray – Fenerbahce do të luhet të premten në stadiumin Al-Awwal Park të Riadit me një kapacitet prej 25 mijë vendesh, me fillim nga ora 18:45.

Dzeko luajti gjithsej 22 ndeshje zyrtare për Fenerin këtë sezon, duke shënuar 16 gola dhe duke dhënë shtatë asistime. /Telegrafi/