Kanë mbetur edhe disa ditë deri tek fillimi i festivalit më të madh muzikor “Sunny Hill”.
Tashmë yjet shqiptare me famë ndërkombëtare kanë filluar të arrijnë në Kosovë, ku do të performojnë përgjatë 10, 11 dhe 12 gushtit në Gërmi të Prishtinës.
Ndërkohë organizatorët kanë bërë të ditur që në edicionin e radhës të sjellin edhe dy këngëtaret e skenës botërore – Rita Ora dhe Bebe Rexha.
Në një konferencë për media, ku ishte i pranishëm edhe reperi Action Bronson, ideatori dhe themeluesi i festivalit, Dukagjin Lipa deklaroi se do të ketë ftesa edhe për yjet tjera botërore.
“Shpresojmë që Sunny Hill festival do të ketë një jetë shumë të gjatë dhe për çdo vjet do të ketë artistë më të mirë shqiptarë dhe të botës, dhe kështu publikisht e them që vitin e ardhshëm do ta ftojmë edhe Ritën, edhe Beben, edhe krejt artistët shqiptarë që janë aty dhe na bëjnë krenarë”, ka thënë ai.
Lipa në konferencë tha se nuk dihet akoma saktë numri i biletave të shitura apo nëse ka ende të lira.
Theksojmë se ylli kryesor i festivalit është Dua Lipa gjersa do të ndezin skenën edhe Action Bronson, Martin Garrix, Stanaj Gashi, Col3trane, Grace Carter, SG Lewis Bondax.
Si dhe artistët më të mirë të skenës kosovare si Ledri Vula, MC Kresha, Lyrical Son, Dafina Zeqiri, Gjiko, Lumi B, Buta, Oda, Jericho, Asgjë Sikur Dielli, Genc Salihu, Dren Abazi, Gipsy Groove, Offchestra, Gamblemania, Kachinari, MTNJ, Alban Muja, Oda Haliti, Secret 47, Rrrron, Ylli Megi, Gon & Sonik, Kidda, Art Haliti dhe shumë e shumë emra të tjerë. /Telegrafi/