Kalendari sportiv është pezulluar ndërkohë që coronavirusi vazhdon të përhapet nëpër botë. Si pasojë e virusit vdekjeprurës janë shtyrë ose anuluar evenimente të mëdha sportive, derisa vende të shumta po përballen me pandeminë.
Krahas ligave dhe ngjarjeve të mëdha sportive, është shtyrë edhe Kampionati Evropian për një vit, derisa në dyshim janë edhe Lojërat Olimpike të Tokios.
Në ndërkohë, meçet e Conor McGregor, Anthony Joshua dhe trilogjia e shumëpritur ndërmjet Tyson Fury e Deontay Wilder, mund të zhvillohen brenda 14 ditëve gjatë verës.
McGregor është në bisedime për t’u ndeshur me Justin Gaethje më 11 korrik, siç ka thënë “për ta ngjallur UFC-në”.
Fury do ta kompletojë trilogjinë me Wilder më 18 korrik në Amerikë, ku do të vendoset cili do ta mbajë titullin WBC (deri më tani kanë një barazim dhe një fitore për Tyson).
Kampioni i WBA, IBF dhe WBO, Anthony Joshua, duhej t’i mbronte titujt ndaj sfiduesit të detyrueshëm, Kubrat Pulev, më 20 qershor.
Mirëpo, promovuesi Eddie Hearn është në bisedime për ta shtyrë meçin për datën 25 korrik. /Telegrafi/