Avokati Drilon Iseni është i ftuari i radhës në emisionin “PodGo”, me të cilin kemi diskutuar për të kaluarën e tij si drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore dhe profesionin e tij si avokat.
Iseni tha se për momentin ndodhet në një betejë të imazhit, duke tentuar që ta prezantojë profesionin e tij të ri dhe ta zëvendësojë me atë të mëparshmin.
“Hapa zyrë të avokatisë, por që ka fokus të mbështesë bizneset dhe të jetë rrjedhim logjik i asaj që kam bërë tek OEMVP. Humbja ime nga jeta publike, nuk është spontane, por strategjike, pasi e kam betejë të imazhit se si ta nxjerr në sipërfaqe avokatin Drilon dhe ta humbi Drilonin e OMEVP-së. Secili ka nevojë të tërhiqet nga një pozicion ose situatë, që të reflektojë më mirë. Prandaj tani edhe prezenca ime nëpër media është e përkohshme dhe ka të bëjë me kapacitetin tim si avokat, por që i njeh rrethanat e biznesit”, tha Iseni.
E pyetëm për profesionin e avokatëve, ndërsa ai tha se ata kanë angazhim dinamik, por përmendi edhe konkurrencën jolojale.
“Avokatët kanë angazhim dinamik, gjithçka funksionon me afate, ndërsa koha është fikse dhe duhet të menaxhohet. Varësisht prej reputacionit që kanë avokatët, disa shërbime paguhen më shtrenjtë. Konkurrenca jolojale është prezentë edhe në profesionin tonë. Konkurrenca jolojale bëhet nga individë dashakëqij që keqpërdorin individët që kanë nevoja reale”, tha Iseni.
Sa i përket ndëmarrësisë në ditët e sotme, Iseni tha se ka ndryshime pozitive.
“Në përgjithësi nëse flasim për ndërmarrësinë të ekosistemit të start-upeve të reja ka ndryshime pozitive. Nëse më herët për një qytetar biznes ka qenë tregtia, ky fakt ka ndryshuar për të mirë, pasi kemi sektorë që përfshihen nga start-upet. Së fundi edhe shërbimet kanë marrë hov të madh dhe kemi biznese të reja në sfera të ndryshme. Kemi edhe kyçjen e grave në biznes që është për t’u përshëndetur”, tha Iseni./Telegrafi/